Ditën e xhuma, më 26 korrik 2019, Myftinia Shkodër organizoi promovimin e botimit më të ri nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, titulluar: “Lebbejke..!”.
Në ceremoninë e promovimit ishin ftuar imamë, teologë, shkrimtarë e publicistë, intelektualë, drejtues të ndryshëm të shoqatave, familjarë e miq të autorit.
Mbi librin ligjëroi teologu Altin Loshi, njëherazi edhe recensent i këtij botimi të ri. Nëpërmjet një analize të detajuar, ai hodhi dritë mbi përmbajtjen e librit dhe rrugën e zgjedhur nga autori për të përcjellë mesazhet e duhura, që nxjerrin në pah madhështinë e Haxhit si adhurim dhe lidhjen e tij me jetën e besimtarit.
Mbi librin diskutoi edhe shkrimtari Xhahid Bushati, redaktor i këtij botimi të ri. Studiuesi Bushati, ndër të tjera theksoi: “Feja myslimane është fe e virtytit. Për virtytin, a virtytet, kemi më shumë se kurrë nevojë sot, kur realitetet tona kanë ngjyra të turbullta, të trishtuara e shpesh tragjike. Leximi i këtij libri bëhet më imperativ, sepse familja myslimane, fëmijët e moshat radhë-radhë, vlerat e vërteta të jetës së tyre do t’i gjejnë edhe në librin islam”.
Ndërsa autori i librit “Lebbejke..!”, Imam Muhamed B. Sytari, pasi falënderoi të pranishmit për kohën e ndarë për të marrë pjesë në këtë promovim, zbuloi se libri i tij i ri është shkruar gjatë ditëve të Haxhit të vitit të kaluar, ku Myftiu bëri haxhin bedel për shpirt të Hoxhës së nderuar shkodram, Hafiz Ibrahim Repishti, pas kërkesës së bërë nga i biri, prof. Sami Repishti, me banim në ShBA.
Myftiu theksoi se libri i tij i ri është një përpjekje për ta lexuar Haxhin si një kompleks vlerash dhe mundësishë që e zgjojnë muslimanin nga hutimi e kllapia, “për të mos pranuar skllavërimim përçudnues dhe realitetet pa kible, në të cilat përpëliten sot, shoqëritë islame”.
Të pranishmit patën rast të vizitonin edhe ekspozitën e titulluar: “Frymë e vendeve të shenjta”, ku ishin ekspozuar 80 fotografi të shkrepura nga autori i librit, gjatë vizitave të ndryshme të Mekës e Medines.
Promovimi i librit “Lebbejke..!” u pasqyrua edhe nga mediat lokale të Shkodrës.