Ditën e sotme përjetova tre momente interesante, që më dhuruan ndjesi të ndryshme nga njëra-tjetra, por që gjithësesi, mbeten pjesë e kësaj dite, dielli i së cilës tashmë ka perënduar me kohë…
1) Sot vizitova gjyshin dhe nanen. Në heshtjen e varreve të tyre dhe viteve të gjata të mosprezencës fizike, këndimi i Fatihasë dhe ca lutjeve për shpirtin e tyre, e zbutën atmosferën, duke e gjallëruar përmes kujtimeve të largëta… Qëndronin mbi kokën time, ndonëse nuk e ndalnin dinamikën e lëvizjes…
Teksa lexoja datat e largimit të tyre nga bota jonë kalimtare, 1987 dhe 2000, më bëhej se koha e gjatë e mungesës i kishte kthyer në gjurmë të lashtë historie, ndonëse shenja e tyre në shpirtin tim më thoshte se modelet nuk i prek lashtësia, modelet mbeten shembuj për t’u respektuar e gjurmë për t’u ndjekur në jetë…
Nana, një grua e heshtur, pastërtore, mikpritëse, bujare, edukatore (në kuptimin e vërtetë të fjalës), muslimane zamani..!
Gjyshi, një burrë durimtar, thellësisht besimtar e musliman praktikant, burrnor e i urtë, njeri i fjalës, zemërbardhë e sakrifikues i madh..!
2) Teravinë e kësaj nate e falëm në xhaminë e Dudasit. (E falëm, meqë nuk isha vetëm). M’u mbush zemra me kënaqësi e prekje traditash, që ruajnë me fanatizëm fenë e të parëve, gjurmën e tyre dhe shpirtin e shekujve, që të lidhin me burimin e Dritës dhe Udhëzimit, Hz. Muhammedin (a.s) dhe sahabët e tij.
Qetësi, pastërti, dritë, prehje, salavate, ngrohtësi tek besimtarët.., të gjitha ishin mbledhur aty në këtë natë. Namazin e teravisë me 20 rekatet e veta, i falëm bashkarisht, me një përshpirtje, që i ngjan asaj që të dhuron xhamia e Plumbit. (Ndoshta, do të duhet të organizojmë edhe faljen e ndonjë teravie në xhaminë e dhunuar të kalasë Rozafa, për të gjetur shenjat e kësaj qetësie dhe kënaqësie shpirtërore, që dhurohet falas në ambientet e xhamisë së Plumbit)
I falënderova me zemër besimtarët e pranishëm dhe këshillin e xhamisë, sepse ruajtja e traditave të shëndosha fetare është obligim, që e tejkalon trendin e deformimit të gjërave në emër të ndryshimit të brezave. Sepse, përballë traditave konsensuale, nuk ka breza, ka bindje dhe pasim, nënshtrim dhe shijim të mrekullive që të falë besimi dhe zinxhiri i trashëgimisë shumëshekullore…
3) Duke bërë një shëtitje në mes të Parrucës, bashkë me një mikun tim, u ndalëm tek urimi për Ramazan, që ka vendosur Myftinia Shkodër në qendër të lagjes më të madhe muslimane të qytetit tonë.
Janë disa parulla me urime e mesazhe sensibilizuese, që kemi vendosur në vende të ndryshme të Shkodërloces tonë. Biseda na mori te tradita e Ramazanit në vendet islame. Përballë syve të mi, zbukurimet e Bashkisë Shkodër për festën e luleve (një transferim intesant i 6 majit, si një gjurmë pagane në thelb të festimeve tona popullore, nga ana e Bashkisë tonë), a 1 qershorin e fëmijëve, (nuk e di tamam, por nuk ka ndonjë rëndësi ky detaj), më tërhoqën vëmendjen.
I thashë edhe mikut tim, sot jemi me 21 qershor 2016, në mes të Ramazanit, në qendër të lagjeve muslimane, por nuk ka asnjë gjurmë respekti për këtë muaj nga institucionet tona, drejtuesit e të cilëve i zgjedhim vetë ne, sikurse nuk ka asnjë biznes që të ketë afishuar një shënim me rastin e Ramazanit; një urim, një ulje çmimesh, një ofertë a të ngjashme. (Dhe thonë pastaj, se komunizmi nuk ia arriti të krijojë “njeriun e ri”!?)
Gjithësesi, tash që jam ulur të rreshtoj këto mendime e kujtime, sërish lutem për gjyshërit e mi rahmetli, (nuk e zë njeri vendin e tyre në thellësinë e qenies sime), vlerësoj shumë besimtarët frekuentues të xhamisë Dudas dhe ndjej një mosrespekt të theksuar ndaj krejt atyre që nuk e respektojnë dhe nuk e nderojnë Muajin tim të shenjtë, Muajin e shenjtë të pjesës dominuese të këtij qyteti: muslimanëve!
Për këta të fundit, do të lutem sonte, veçmas…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 21 qershor 2016