Ditën e enjte, më 29 gusht 2019, pas namazit të akshamit në xhaminë e “Dy Vajzave”, Myftinia Shkodër organizoi aktivitetin me temë “Hixhreti – në gjurmët e një historie, që rrezaton shpresë…”, në përkujtim të vitit të ri Hixhri 1441.
Aktivitetin e hapi imami i xhamisë teologu Lavdrim Hamja, i cili uroi të pranishmit me rastin e këtij viti të ri 1441.
Imami i nderuar theksoi se tubimet që lidhen me përkujtimin e datave të shënuara islame janë një mundësi për të risjellë në vëmendjen e besimtarëve mesazhet që na dhurojnë këto ngjarje.
Aktiviteti u pasua nga ligjërata e Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili u ndal tek mesazhi kryesor i kësaj ngjarjeje të madhe në jetën e Resulull-llahut (a.s.), sikurse bëri lidhjet e saj me realitetet e muslimanëve në Shqipëri, politikat islamofobe, si dhe realitetet e muslimanëve kudo në botë.
Ai u shpreh se përkujtimi i Hixhretit, ndër të tjera na sjell në vëmendje një mësim shumë me vlerë, fjalën e të Dërguarit të All-llahut (a.s), që i tha shokut të tij të vetëm gjatë Hixhretit, Ebu Bekrit (r.a): “Mos u dëshpëro, All-llahu është me ne!”.
Kjo fjalë shumë domethënëse duhet t’i shërbejë si shpresë secilit prej nesh në rrugëtimet e tij në jetën e kësaj bote.
Më pas e mori fjalën teologu Lavdrim Hamja, i cili u ndal tek mësimet e Hixhretit, si ngjarje me shumë vlerë për myslimanët në çdo kohë. Ai theksoi, se Hixhreti na mëson se duhet të rendin pas sebepeve dhe shkaqeve, të jemi të vendosur dhe të mbështetemi tek All-llahu, të zgjedhim shokët e jetës, të jemi të durueshëm dhe të përkushtuar, në mënyrë që Zoti të na ndihmojë dhe të jetë Mbrojtësi ynë.
Për të ligjëruar në këtë mbrëmje ishte edhe teologu Agim Elezi, ku gjatë bisedës së tij u ndal tek roli dhe shembulli i përkryer i Pejgamberit (a.s.), si frymëzim për ne deri në ditën e fundit.
Njëkohësisht shprehu falënderim për brezin e të moshuarve, që e ruajtën fenë dhe tashmë mbeten fenerë ndriçues për brezin e ri.
Ai, ndër të tjera tha, se çdo mysliman duhet ta pasojë të Dërguarin e All-llahut në sjelljet dhe moralin e tij dhe se sfidat e jetës, nuk duhet ta ndalin nga rrugëtimi i tij drejt Krijuesit të gjithësisë.
Në fund të aktivitetit u shpërndanë disa libra me tematika të ndryshme, si dhe Kur’ani Famëlartë në gjuhën arabe.
Për të pranishmit u shtrua edhe një koktejl.