Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, i Cili e bëri hixhretin e Resulull-llahut (a.s.) stacion përkujtimi të përkujdesjes së Tij për Hz. Pejgamberin tonë (a.s.) dhe fenë e Tij deri në ditën e fundit! Islami është dritë që rrezaton dhe nuk shuhet kurrë, përtej duarve të fshehta e përpjekjeve të hapura që bëhen për ta shuar atë dhe mirësinë e tij për njerëzimin!
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot, në këtë ditë dhe në çdo moment të jetës sonë, Ma të Mirit dhe Ma të shtrenjtit të gjithësisë, Hz. Muhammedit (a.s.), prej të cilit mësuam forcën e besimit, deri në momentet më dramatike të jetës, që përkufizohen edhe në shprehjen e tij nuranite drejtuar Hz. Ebu Bekrit (r.a.), kur të dy ishin strehuar në shpellën e Hixhretit: “Në mos e ndihmofshit atë (Pejgamberin), atë e ka ndihmuar All-llahu; kur ata që nuk besuan e nxorën atë vetë të dytin; kur që të dy ishin në shpellë, kur po i thoshte shokut të vet: “Mos u pikëllo (friko), All-llahu është me ne!” E All-llahu zbriti qetësi (në shpirtin e) atij, e fuqizoi me një ushtri që ju nuk e patë; e fjalën e atyre që nuk besuan e bëri më të ultën, kurse fjala e All-llahut (është) më e larta. All-llahu është më i fuqishmi, më i urti.”, siç e përshkruan All-llahu i Madhëruar në Kur’anin Famëlartë.
Të dashur besimtarë,
Ejani të lexojmë së bashku katër ajete prej ajeteve të sures El-Enfal, ku Zoti i gjithësisë na drejtohet duke thënë: “Përkujto (o i dërguar) kur ata që nuk besuan thurnin kundër teje; të ngujojnë, të mbysin ose të dëbojnë. Ata bënin plane, e All-llahu i asgjësonte, se All-llahu është më i miri që asgjëson (dredhitë). E kur atyre u lexohen ajetet Tona (Kur’ani), thonin: “Kemi dëgjuar (këso fjalësh) dhe sikur të donim edhe ne do të thonim diçka të ngjashme me këtë dhe se ky nuk është gjë tjetër veçse mit i lashtë”. Dhe (përkujto) kur thanë: “O All-llah! Nëse është ky (Kur’ani) vërtet prej Teje, lësho gurë nga qielli kundër nesh, ose sillna ndonjë dënim të idhët”. Po All-llahu nuk do t’i dënojë ata, derisa ti (Muhammed) je në mesin e tyre dhe All-llahu nuk do t’i dënojë, derisa ata kërkojnë falje (istigfar)”.
Të dashur të pranishëm,
Krejt bota islame përkujton sot, ngjarjen e madhe të hixhretit të Resulull-llahut (a.s.) nga Meka, vendlindja e tij, drejt Medines së mikpritjes, zemërbardhësisë dhe begatisë së ndjerë në çdo hap, në çdo frymë, në çdo lutje.
Përpara duarve tona janë katër ajete të sures El-Enfal, rreth së cilave dua të ndërtoj hytben e kësaj jave, për të dalë tek mesazhet e Hixhretit dhe pasqyrimin e tij në realitetet tona shqiptare dhe ato të ymetit islam.
Si fillim, ajeti 30 i sures së lartpërmendur (El-Enfal), ndonëse është shpallur në Medine , bën fjalë për një ngjarje me shumë rëndësi. Dhe, siç thotë edhe dijetari i shquar Shejkh Reshid El-Khatib (1303-1400 h.) në tefsirin e tij: “Përkujtimi i të Dërguarit (a.s.) me këto ngjarje mekase në periudhën medenite, na frymëzon për të kuptuar se ato ishin ndodhi të vështira me efekte të rënda!”.
Nga këtu, më lejoni të vendos para jush një përmbledhje të shkrurtër të ngjarjes, që i parapriu hixhretit të Ma të Mirit të tanësisë, nga Meka drejt Medines.
“Kurejshitët u mblodhën fshehtas për të komplotuar që ta hiqnin qafe të Dërguarin e All-llahut. Në mes tyre u trajtuan këto tre mendime. Mendimi i parë u dobësua dhe ra, pasi e panë të pamundshëm. Poashtu edhe mendimi i tretë, për të cilin nuk ranë dakort, sepse kuptuan dhe vërtetuan se, nëse të Dërguarin do ta dëbonin, çështja e tij do të forcohej, për shkak të ëmbëlsisë dhe ndikimit të saj! Kështu, ranë dakort për mendimin e dytë. Do të merrnin nga një të ri energjik nga çdo fis dhe do të godisnin së bashku me shpatat e tyre, si një goditje e vetme. Kështu, gjaku i tij (a.s.) do të përhapej në krejt fiset e Mekës dhe fisi i tij, Hashimët, nuk do të kishin mundësi të përballeshin me krejt fiset e përfshira në gjak dhe do të pranonin shpagimin e gjakut, të detyruar! Me këtë rast. Erdhi Xhibrili (a.s.) dhe e urdhëroi të Dërguarin që atë natë të mos flinte në shtratin e tij, ku flinte zakonisht dhe e vuri në dijeni me komplotin e parisë mekase. Kështu, All-llahu i Madhëruar i lejoi hixhretin, ku së bashku me Ebu Bekrin (r.a.), shoqëruesin e tij, u fshehën në shpellën e Theurit dhe prej aty u nisën drejt Medines.”.
Të dashurit e mi,
Ajo që kuptojmë nga këto ajete është, në krye të herës, “mirësia e veçantë (e All-llahut të Madhëruar) për të Dërguarin e Tij” , të cilin e mbrojti dhe e lartësoi, duke mbrojtur dhe lartësuar nëpërmjet tij krejt besimtarët dhe vetë fenë e Tij, deri në ditën e gjykimit!
“All-llahu e nxori të Dërguarin e Tij nga mesi i tyre, në atë mënyrë që ai të ishte i bindur ndaj Tij, në gjendje adhurimi ndaj Tij edhe në këtë dalje, që po ndodhte me urdhërin e Tij. Kështu, edhe dalja e tij do të ishte në një drejtim, ndryshe nga drejtimi që kishin planifikuar. Madje e quajti daljen e tij hixhret, që ta mësonin të gjithë se All-llahu i Madhëruar e dinte për komplotin e tyre ndaj tij, dhe që kjo ngjarje të ishte argument prej argumenteve të dërgesës dhe misionit të tij, pas largimit të tij nga mesi i tyre dhe ndarja e tij prej tyre, njësoj siç kishte argumente, ndërkohë që jetonte në mesin e tyre. Në këtë kontekst, ai është si Isai (a.s.), i cili kishte argumentet e dërgesës hyjnore, teksa jetonte në mesin e kundërshtarëve të tij, njësoj siç iu dha argument edhe lartësimi, pas largimit prej popullit të tij…”.
Nga këtu, muslimani duhet të bindet se, sa më shumë që rrugëton drejt Zotit të tij; sa më shumë që lidhet me fenë e tij; sa më shumë që e dëshmon frymën e besimit dhe moralin e tij në jetën e përditshme; sa më shumë që dëshmohet si ndërtues i jetës me vlerat islame; sa më shumë që dëshmohet si korrigjues i të keqes në shoqëri, me dritën e All-llahut dhe udhëzimin e Tij; sa më shumë që rrugëton drejt përhapjes së paqes me dinjitet, tolerancës me krenari, dijes me përulje, adhurimit të Një Zoti të vetë me të vërtetë me argument e bindje; sa më shumë që dëshmohet si përhapës i mrekullive të besimit me urtësi e mëshirë për krijesat e Zotit; aq më shumë do ta gjejë All-llahun e Madhëruar pranë vetes, edhe kur për një moment mund të mendojë se krejt bota i është vënë kundër dhe don ta izolojë, ta dëbojë a ta eliminojë!
Realitetet e botës tonë, na dëshmojnë sot, ditë pas dite, nevojën që ka njeriu i kësaj kohe për të lexuar drejtë e pastër Fjalën e Zotit, për t’u kthyer drejt Tij, për t’u paqtuar me Të, për t’u penduar nga jeta e shthurrur, plot argëtim të paudhëzuar, plot harame e pa kufij!
Realitetet e botës tonë, na frymëzojnë sot, që të mos lëmë pas dore asnjëherë mesazhet dhe udhëzimet që vijnë për ne nga leximi i drejtë i ajeteve të Hixhretit, por jo vetëm!
Një ndër tefsiret e ajetit: “Ata bënin plane, e All-llahu i asgjësonte, se All-llahu është më i miri që asgjëson (dredhitë)” , është edhe kjo dëshmi, që na e sjell Imam Maturidi në tefsirin e tij: “Disa kanë thënë: Ata, (paria mekase; lexo: kundërshtarët e Islamit) nëprmjet komplotit të tyre i deshtën të keqen (Pejgamberit dhe Islamit), që ishte përpjekja e tyre për ta shuar këtë dritë, që të shuhej kjo fé e të fshiheshin gjurmët e tij. Ndërsa All-llahu donte që një pjesë e tyre të bëheshin më vonë përkrahës dhe ndihmëtar të tij…”.
Kështu, të dashurit e mi,
Nuk do të humbim kurrë shpresë, nuk do të rreshtim kurrë së punuari për këtë fé, nuk do ta thyejmë besën e All-llahut dhe Pejgamberit të Tij, do të vazhdojmë të thërrasim drejt kësaj feje, derisa të kemi frymë, nuk do të frikësohemi nga islamofobia dhe taborrat e Iblisit, që punojnë ditë-natë kundër kësaj feje dhe madhështisë së saj; atë e ka ruajtur dhe ruan All-llahu i Madhëruar, me a pa ne!
Ndërsa ne, teksa e rifreskojmë besën e All-llahut dhe besën e të Drëguarit të Tij, nuk bëjmë asgjë tjetër, veçse i përgjigjemi thirrjes së shenjtë kur’anore, me të cilën e nisa këtë hytbe: “Në mos e ndihmofshit atë (Pejgamberin), atë e ka ndihmuar All-llahu”!
Vel-hamdu lil-lahi rabbil-alemine!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbeja e mbajtur në xhaminë e “Dy Vajzave”, me rastin e përkujtimit të Hixhretit të Resulull-llahut (a.s.) dhe fillimit të vitit të ri 1441)