Takim pune në prag të Natës së Kadrit dhe Fitër Bajramit

Ditën e enjte, më 30 qershor 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, zhvilloi një takim pune me një grup imamësh të qytetit, ku diskutoi mbi parapërgatitjet për aktivitetet në prag të Natës së Kadrit dhe Fitër Bajramit.

Myftiu theksoi se mirësitë e këtij Ramazan ishin të shumta dhe fryma e tij është ndjerë gjithandej në lagjet muslimane dhe xhamitë e Shkodrës.

Ai kërkoi që në ditët e mbetura të këtij Muaji, të ketë një përkujdesje të veçantë, sidomos në sqarimin e besimtarëve për detajet e sadekatul-fitrit, zekatit, lajmërimit për regjistrimet e haxhit të sivjetshëm, aktiviteteve të Natës së Kadrit, Fitër Bajramit etj.

U ritheksua se vlera e sadekatul-fitrut është caktuar në vlerën 200 l.r. për person, sikurse është lajmëruar se paketa e haxhit të sivjetshëm është caktuar 2800 euro.

Ditën e xhuma, më 1 korrik 2016, ora: 12.00, në xhaminë e Parrucës do të zhvillohet ceremonia e përfundimit të Hatmes Sherife me lutjen e saj.

Në darkë, në të gjitha xhamitë e Shkodrës do të ketë lutje, dhikre e adhurime shtesë, deri në kohën e syfyrit.

Dita e parë e Fitër Bajramit është me 5 korrik 2016. Ceremonia e faljes së sabahut dhe Fitër Bajramit për krejt xhamitë e Shkodrës, do të zhvillohet në sheshin e Namazgjasë, bri xhamisë “Ebu Bekër”, duke nisur nga ora: 4.30, ndërsa Fitër Bajrami falet në orën 06.02, pasuar nga hytbeja dhe përshëndetja në mesin e besimtarëve.

Me këtë rast, Myftiu lajmëroi se do të ketë surpriza të këndshme për krejt muslimanët e Shkodrës.