Në Kur’anin Famëlartë lexojmë se vepërmirët e përkushtuar do të kenë shpërblime të mëdha në jetën e përtejme.
Në suren Edh-Dharijat: 15-16, urdhëron e thotë: “Të përkushtuarit janë në kopshte e burime. Të kënaqur se kanë shtënë në dorë atë që u dha Zoti i tyre, ata edhe më parë (në jetën e mëparshme) ishin mirëbërës!”.
Këto dy ajete na japin të kuptojmë se përkushtimi në jetë, ndjekja e udhëzimit hyjnor dhe distancimi nga ndalesat e Tij, shoqëruar me vullnetin për të bërë mirë e për të përsosur çdo gjë që kemi në dorë, na mundëson shpërblimin e madh në jetën e përtejme.
Mirëpo, a mjafton të jemi vepërmirë dhe të mjaftohet secili me veten e tij?
Në Kur’anin Famëlartë lexojmë: “E Zoti yt nuk do të shkatërrojë mizorisht vendet, nëse banorët e tyre janë rregullatorë” – (Hud: 117)
Me fjalë të tjera, kemi nevojë të zgjohemi e ta përhapim fjalën e mirë të besimit e fesë në mesin e njerëzve, duke nisur me familjen, farefisin, rrethin e ngushtë, shoqërinë e njeriun, cilido qoftë ai! Sepse muslimani është vepërmirë, që i do të tjerëve atë që do për veten e tij!
Kemi nevojë të refuzojmë thirrjet e përditshme që e marrin shoqërinë për dore drejt shthurrjes, injorancës, afetarizmit, degradimit moral, prishjes së ekuilibrave të natyrës, deformimit të familjes, prishjes së tabanit kombëtar të vlerave të trashëguara, por jo vetëm!
Kemi nevojë të ngrihemi për të refuzuar të keqen, për të mos u bërë palë me të, për ta dëshmuar kudo besimin dhe moralin e tij!
Resulull-llahu (a.s.) na tërheq vëmendjen: “Si do të veproni atë ditë kur do të devijojnë të rinjtë tuaj dhe do të shthurren gratë tuaja?” I thanë: A do të ndodhë kjo, o i Dërguar i All-llahut? Tha: “Edhe më shumë se kaq do të ndodhë!” I thanë: E çfarë mund të jetë më shumë se kaq? Tha: “Si do të veproni atë ditë, kur nuk do të urdhëroni më për të mirë dhe s’do e ndaloni më të keqen?” I thanë: A do të ndodhë kjo, o i Dërguar i All-llahut? Tha: “Edhe më shumë se kaq do të ndodhë!” I thanë: E çfarë mund të jetë më shumë se kaq? Tha: “Si do të veproni atë ditë, kur do të urdhëroni për të keq dhe do ta ndaloni të mirën?” I thanë: Edhe kjo do të ndodhë, o i Dërguar i All-llahut? Tha: “Edhe më shumë se kaq do të ndodhë!” I thanë: E çfarë mund të jetë më shumë se kaq? Tha: “Si do të veproni atë ditë, kur do ta shihni të mirën të keqe dhe të keqen të mirë?!”.
Me pak fjalë: Nëse nuk bëhemi rregullatorë, nuk do na vlejë të jemi prej të mirëve!
(Nga hytbeja e xhumasë, më 25 tetor 2019, në xhaminë e Tophanës)