Nëse dikush të pyet se çfarë është Islami, lexoji atij ajetin 177 të sures El-Bekare! Por, a mund të përfshihet krejt feja në një ajet të vetëm? Si jo?! Ne po flasim për Librin e All-llahut të Madhëruar, nuk po flasim për libra njerëzor!
Po çfarë thotë në ajetin 177 të sures El-Bekare? Urdhëron e thotë: “Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t’i ktheni fytyrat tuaja nga lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, melekëve, Librit, pejgamberëve dhe, pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, edhe ai që e fal namazin, e jep zekatin, edhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e betejës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të përkushtuarit.”
Fillimi i këtij ajeti lidhet me urdhërin hyjnor për ndrrimin e kibles. Ndodh shpesh në jetë që njerëzit të kapen pas pamjes së jashtme, pas shfaqjeve, jo thelbit! Kështu ata bëhen thjeshtësisht të manipulueshëm për shejtanin!
Ky ajet u shpall, si për të na mësuar deri në ditën e fundit të jetës mbi tokë se, çështja nuk është tek ana e jashtme e gjërave dhe fanatizmi i verbër që na lidh pas tyre, por tek thelbi!
Namazi është thelbi, jo drejtimi i kibles, që u urdhëruam ta ndryshojmë një herë e përgjithmonë dhe kështu do të jetë deri në kijamet!
Çfarë rëndësie ka numri i shkallëve të minberit? Hytbeja është thelbi, edhe nëse e ligjërojmë poshtë, para njerëzve! Nëse ulem tani edhe dy shkallë, a ulem krejt poshtë dhe vazhdoj të flas; hytbeja është thelbi, jo këmbët e shkallës së minberit!
Çfarë kuptimi ka të prishim harmoninë e xhamisë për gjëra sipërfaqësore dhe të humbim thelbin, siç ndodh rëndom në realitete dekadente!?
Të ruhemi për të mos e humbur esencën dhe thelbin e besimit, duke u kthyer tek vlerat e besimit dhe thelbi i tij, tek pyetja me vlerë, tek zhvillimi i mendimit, tek formimi i individit të shëndoshë, tek xhamia që e ruan të riun tonë për të mos u bërë i paedukatë dhe i pafytyrë, sidomos ndaj familjarëve të tij jopraktikantë të fesë!
Para ca kohësh, më ndali një zonjë e moshuar. M’u ankua për nipin e saj, që vinte në xhami. U habita? Përse të ankohej për nipin, frekuentues të xhamisë, xhanëm? Tha, me shumë dhembje se, zotëria e tij e ngrinte zërin në shtëpi, i fyente, i trajtonte keq familjarët e tij që nuk faleshin e nuk ishin praktikantë!?
Hasbijallah! Po cila xhami e mëson këtë? Cili Islam e udhëzon drejt shthurrjes morale dhe mosrespektimit të prindit, edhe nëse është jobesimtar? A nuk na tregoi Resulull-llahu (a.s.) për pijanecin, se ai e donte All-llahun dhe të Dërguarin e Tij? A nuk tha për personin, që i thanë se vidhte se, namazi do ta ndryshonte sjelljen e tij dhe ashtu ndodhi?!
Kaluan 30 vite dhe ne kemi nevojë për të lexuar drejtë e saktë Kur’anin dhe Fjalën e Resulull-llahut (a.s.)! Se ky Kur’an dhe Fjala e të Dërguarit të Tij kanë ardhur për të nxjerrë nga errësira në dritë, për të na bërë njerëz fisnikë, njerëz me vlera, njerëz me dritë! Jo njerëz të izoluar, të mbyllur e të bunkerizuar! Jo njerëz në bodrume!
Ajeti kur’anor që kemi para duarve, është një mumdësi e madhe për të kuptuar se sa e madhe dhe sa e gjerë është kjo fé e madhnueshme islame! Se sa hapësira të mëdha na jep feja në jetën tonë, për ta jetuar atë të shoqëruar me besimin dhe me vlera!
(Nga hytbeja e xhumasë, e mbajtur nga Imam Muhamed B. Sytari,
më 10 janar 2020, në xhaminë e Tophanës)