Pasditën e së mërkurës, më 8 janar 2020, ashtu siç isht planifikuar më parë, Këshilli i Myftinisë Shkodër zhvilloi mbledhjen e radhës, ku në qendër të vëmendjes ishin diskutimet mbi aktivitetet e vitit jubilar 2020, që përkon me 30 vjetorin e lirisë së besimit, pas periudhës 23 vjeçare të ndalimit të lirisë së besimit me ligj në Shqipëri.
Në krye të herës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari theksoi se 30 vjetori i rihapjes së xhamisë së parë, pas një periudhe të gjatë femohimi dhe ndalimi me ligj të fesë në vendin tonë, është në vetvete një moment reflektimi për të parë se çfarë kanë qenë këto 30 vjet për aktivitetin e Myftinisë Shkodër dhe muslimanëve në kryeqendrën veriore të vendit tonë.
Njëkohësisht dha diaa mendime që lidhen me detajet e aktivitetit të këtij viti për Myftininë e Shkodrës me krejt kuadrot e saj.
Mendime me vlerë dhanë edhe këshilltarët, ku sekretari i Këshillit të Myftinisë Shkodër, H. Fejzi Zaganjori paraqiti me shkrim mendimet dhe propozimet e tij të dobishme, në mënyrë që ky vit të dëshmohet për gjallërinë e aktiviteteve në nder të këtij viti jubilar.
Poashtu, drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, i cili dha mendimet e tij, që lidhen edhe me bashkëpunimin e Myftinisë me institucionet e tjera serioze të qytetit dhe jashtë tij, që kjo atmosferë të dëshmohet sa më mirë.
Këshilltari Admir Admir V. Temja, kërkoi që rrjeti i bashkëpunëtorëve të zgjerohet, që mesazhet e këtij viti të kenë një jehonë sa më të madhe.
Nga ana e tij, teologu Lavdrim Hamja, diskutoi mbi mundësinë e realizimit të disa aktiviteteve risi, zhvillimi i të cilëve do t’i jepte një kuptim edhe më të plotë kësaj iniciative të re.
Mendime me vlerë dha edhe këshilltari Jetmir Braqi, i cili diskutoi mbi mundësinë e zhvillimit të një cikli ligjëratash e takimesh me rininë e fshatrave, që kanë shumë nevojë të dijnë për fenë e besimin në përballjen e tyre me sfidat e ateizmit, propagandës islamofobe, etj.