Myftiu: “Mos të lejojmë t’i bjerë pluhuri mësimeve të Resulull-llahut!”

Ditën e xhuma, më 17 janar 2020, nga minberi i xhamisë së “Dy Vajzave”, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, iu drejtua besimtarëve me një mesazh, që lidhet me shembullin e sahabiut të nderuar Hz. Ebu Ejjub El-Ensari (r.a.), në shtëpinë e të cilit, Resulull-llahu (a.s.) qëndroi për shtatë muaj, nga momenti fatlum i mbërritjes në Medinen e Ndriçuar.

Teksa u përqendrua tek disa detaje nga jeta e këtij sahabiu të shquar, Myftiu tha: “Të shohim se çfarë edukate kanë pasur sahabët me Pejgamberin (a.s.). Nëse ata kanë qenë të kujdesshëm që as edhe një fije pluhuri t’i bjerë trupit të Pejgamberit (a.s.), ne duhet të përpiqemi dhe të angazhohemi maksimalisht sot, për të mos lejuar që pluhuri të prekë mësimet dhe udhëzimin e Hz. Muhammedit (a.s.) në jetën tonë të përditshme!

Duhet të turpërohemi nga veprimi i të kundërtës së udhëzimit të tij (a.s.)! Duhet të kujdesemi që me të njëjtin shpirt e angazhim të sillemi me porositë e Pejgamberit (a.s.) dhe traditat e tij; ato që lidhen me familjen, me individin, me dijen, me përkushtimin, me takvanë, me besimin në All-llahun e Madhëruar, me marrëdhënin tonë me njëri-tjetrin, me hallallin dhe haramin, me natyrën, me mjedisin, me çdo gjë që i duhet muslimanit për të shijuar bekimet e All-llahut të Madhëruar në praktikimin e kësaj feje të madhnueshme islame!”.

Myftiu theksoi gjithashtu se është detyrë e prindërve muslimanë të mos neglizhojnë në edukimin e fëmijëve të tyre me traditat islame, duke nisur tek detajet më të imëta e duke vazhduar me rregullat dhe shtyllat e besimit dhe fesë!

Duke përmendur momentin e ndërrimit jetë të Hz. Ebu Ejjubit (r.a.) në ditët e mbretit të madh, Hz. Muavije ibn Ebi Sufjan (r.a.), Myftiu tha se në moshën 80 vjeçare, Ebu Ejjubi u vesh ushtar në përpjekjet e muslimanëve për të marrë Kostandinopojës, sipas përgëzimit të Resulull-llahut (a.s.). Atje ndërroi jetë dhe akoma sot në Stamboll ndodhet mekami i tij në xhaminë e tij të famshme në lagjen që mban emrin e saj.

“Në jetën tonë të përditshme kemi momente kur përballemi me sfida e probleme, me pengesa e vështirësi, por, duke lexuar në jetën e Ebu Ejjub Ensariut (r.a.), kuptojmë se asnjëherë nuk duhet të ndahemi nga çështjet madhore në jetë, përtej moshës!

Feja është çështje madhore! Morali i fesë është çështje madhore! Edukata jonë islame është çështje madhore! Përparimi i kësaj feje është çështje madhore! Përhapja në mënyrën më të mirë e më të bukur të kësaj feje është çështje madhore! Mos me heshtë para zullumeve është çështje madhore! Me e jetu fenë tonë bukur në shtëpitë tona është çështje madhore! Me eduku fëmijët tanë me fenë tonë islame është çështje madhore…”, tha ndër të tjera Myftiu.