Hyrja e Hanës së re të Muajit Rexheb 1441, shënon një moment reflektimi për secilin prej nesh, duke na ftuar të veprojmë e të punojmë, mbështetur mbi pragun e Thirrjes së besimit e të fesë, dritës dhe bekimeve që na vijnë nga Zoti i gjithësisë, Kur’ani Famëlartë dhe traditat e Hz. Muhammedit (a.s.).
Ky është një moment i mrekullueshëm, ku ftohemi të bëjmë llogaritë e krejt vitit, për të korrigjuar e ndrequr, për të përmirësuar e vendosur mbi shinat e duhura jetën tonë, marrëdhëniet me të tjerët, në kërkim të paqes me Zotin e veten, familjen e farefisin, shoqërinë e atdheun, kombin e ymetin islam!
Ka shumë rëndësi të plotësohemi nëpërmjet rrugëve të dashnisë dhe përkushtimit në marrëdhënie me fenë tonë, mësimet dhe shpirtin e teksteve, që na ftojnë drejt realizimit të Njeriut Mëkëmbës; njeriut që jeton e punon me dritën e Zotit, që synon lartësitë, që me dinjitet mbron shenjtëritë e tij, që me krenari dhuron mirësi e vlera me këdo e kudo, që me drejtësi lufton padrejtësitë e prekjen e kufijve të patolerueshëm të fesë, jetës, mendjes, nderit e pronës!
Jeta e kësaj bote është e shkurtër për t’u bërë palë me të keqen, për të bërë kompromis në kurriz të fesë e dinjitetit, për t’i kthyer shpinën thirrjes së All-llahut të Madhëruar për reklamat fallco të kujtdo tjetër që mundohet të mjegullojë zemrën dhe dritën e arsyes, teksa e merr për dore njeriun dhe njerëzimin drejt skëterrave të padijes, mirazheve të rreme intelektuale, morale, fetare e politike!
Fillimi i Tre Muajve të Mirë është një periudhë adhurimi, privimi e përkushtimi, për të dëshmuar me çdo qelizë tonën përkatësinë dhe lidhjen me besimin dhe shpirtin e vlerave të Islamit tonë!
All-llahu i Madhëruar me bekimet e Tij jua lehtësoftë këtë rrugëtim të paqtë dhe i begatoftë për ne këto Muaj të shtrenjtë: Rexheb, Shaban e Ramazan!
Me zemër të mirë e pranim!
Myftiu i Juaj,
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 25 shkurt 2020
1 Rexheb 2020