Ditën e mërkurë, më 26 shkurt 2020, Myftinia Shkodër me mbështetjen e emigrantëve nga fshati Drisht dhe në koordinim me administratorin e Njësisë Administrative Postribë, Bashkia Shkodër, z. Altin Shabaj, inspektuan familjen e z. Lulzim Curri dhe i dhanë lajmin e mirë dhe të gëzueshëm për fillimin e restaurimit të banesës së tij, duke e kthyer në kushte të përshtatshme për banim.
Banesa në fjalë, ku jeton kjo familje, është në kushte të papërshtatshme dhe jashtë çdo parametri për të banuar në të.
Thirrjes për sensibilizim i janë përgjigjur pozitivisht emigrantët e fshatit Drisht, të zonës së Postribës dhe të tjerë, të cilët kanë arritur të mbledhin një fond për rikonstruksionin e banesës së familjes Curri dhe kthimin e saj në një ambient të banueshëm dhe me kushte të përshtatshme për të jetuar.
Në emër të Myftinisë Shkodër u prononcua teologu Arben Halluni, i cili ndër të tjera tha, se sot po japim një lajm të gëzueshëm për këtë familje, sepse po përurojmë fillimin e punimeve për restaurimin e shtëpisë së Lulzimit. Kjo iniciativë e mirë përkon me fillimin e tre muajve të mirë, Rexheb, Shaban dhe Ramazan, ku njerëzit duhet të japin kontributin e tyre të mirë për solidarizim me njerëzit në nevojë.
Falënderojmë të gjithë emigrantët e Drishtit dhe të Postribës, të cilët u treguan të gatshëm në ndihmesën e kësaj familje, ku varfëria është ulur këmbëkryq në këtë vend, si dhe z. Zamir Milani, i cili po bën koordinimin e kontributeve të emigrantëve dhe zbatimin e restaurimit të kësaj banese.
Restaurimi i banesës parashikohet të përfundojnë me fillimin e muajit të begatë të Ramazanit.