Myftiu ligjëroi në xhaminë e Bardhajve

Pas akshamit të së shtunës, më 29 shkurt 2020, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mbajti një ligjëratë në xhaminë e fshatit Bardhaj.

Në krye të herës, Myftiu falënderoi besimtarët e kësaj xhamie dhe imamin e nderuar, Ilir Dizdari, për përkushtimin e madh në drejtim të mirëmbajtjes së xhamisë, zhvillimin e kurseve fetare, afrimin e të rinjve dhe ruajtjen e harmonisë islame në mesin e banorëve të këtij fshati.

Pas namazit të akshamit, Myftiu ligjëroi mbi vlerën e muajit Rexheb, si muaj i shenjtë, ku besimtarët janë të urdhëruar në Kur’anin Famëlartë që në ditët e tij të ruhen nga padrejtësia, të shtojnë përkushtimin e tyre dhe të dëshmojnë forcën e besimit në jetë, në marrëdhëniet familjare, në përmirësimin e cillsisë së adhurimeve, në shtimin e bamirësisë, etj.

Myftiu tha se muaji Rexheb është një mundësi e mirë për të shtuar istigfarin, për të agjëruar vullnetarisht në prag të Ramazanit, për të punuar kontribuar që gëzimi dhe rehatia të përfshijë çdo shtëpi muslimane, në mënyrë që ta presim sa më mirë muajin e begatë të Ramazanit.

Gjatë ligjëratës së tij, Myftiu u ndal edhe tek vlera e madhe që ka llogaria që duhet të bëjë muslimani me veten e tij për të parë se si është me namazin, sidomos atë me xhemat, ku theksoi se namazi më i lehtë për t’u kryer me xhematë është ai i sabahut, ku shpjegoi edhe disa nga dobitë mjekësore të tij, përtej begatisë që e përfshin njeriun me fillimin e ditës së re.

Me fillimin e Tre Muajve të Mirë, Myftiu do të ligjërojë në disa xhami të qytetit e fshatit, me qëllim pëcjelljen e mesazheve që lidhen me periudhën e begatë të tyre.