(Mesazh urimi për komunitetet e krishtera të Shkodrës, në kushtet e pamundësisë së zhvillimit të vizitave dhe urimeve tradicionale, për shkak të rregullave të imponuara nga e quajtura pandemi covid 19)
Të nderuar drejtues të bashkësive të krishtera të zonës Shkodër, katolikë dhe ortodoksë, respektivisht, Mons. Angjelo Masafra dhe At Aleksandër Petani!
Të dashur bashkëqytetarë të besimeve të krishtera në Shkodër!
Zoti i gjithësisë desht për ne që të jetojmë së bashku në këtë nënqiell të këtij qyteti të begatë, plot mirësi e bekim, duke marrë e dhënë në harmoni me vlerat tona fetare, qytetare e kombëtare, në përpjekje të vazhdueshme për të ruajtur ekuilibrin e natyrës dhe dritën e paqes, si dëshmitar të tyre, si përhapës e mbrojtës me dinjitet të një obligimi të shenjtë, që buron nga Fjala e Zotit të gjithësisë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu, më i fisniku ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë!” – (Kur’ani, El-Huxhurat: 13).
Ai na udhëzoi drejt vlerave të harmonisë dhe respektimit të ndërsjellët, duke na treguar nëpërmjet teksteve të shenjta se, njeriu është vëlla i njeriut dhe se, më i dobishmi i tyre për vëllezërit e tij, është më i dashuri i tyre për Krijuesin e gjithësisë, siç na mëson i Dërguari i fundit i Zotit të gjithësisë, Hz. Muhammedi (a.s.).
Nga këtu, më lejoni që në këtë ditë të shënuar për ju, të lutem me zemër që drita e Zotit të ndriçojë jetën tuaj, të keni paqe e bekim, për të shijuar nëpërmjet tyre mirësinë e mëshirës së Krijuesit, kur ajo depërton në zemrën dhe jetën e robit të Tij!
Kushtet e imponuara na ndalojnë takimin fizik dhe urimet nga afër, mirëpo kjo nuk pengon që mesazhet tona të kapërcejnë pengesat materiale, duke u dëshmuar si shenja drite, harmonie njerëzore, si dhe përpjekje të pandërprera për të mirën e paqes sociale, mirëkuptimit e vëllazërisë kombëtare, për të cilën jemi të angazhuar të punojmë e të shërbejmë me sa të kemi forcë e jetë!
Të gjithë së bashku, le të lutemi që kjo situatë jashtë vullnetit tonë, të na shërbejë për t’u kthyer me bindje e shpirt nga dera e madhe e besimit, afrimit me dashninë e Zotit dhe bashkëpunimit tonë për të mirën e qytetit, vendit dhe njerëzimit!
Ju uroj çdo të mirë dhe lutem për ju!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 12 prill 2020