Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe..!

Me mbarësinë e All-llahut, ditën e sotme do të ndalemi tek shpjegimi i një prej ajeteve nga sureja e të urtit Lukman, emrin e të cilit mban edhe sureja me nr. 31 në Kur’anin Famëlartë.

“(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: ‘O djali im, mos i shoqëro All-llahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe’.”.[1]

Fillimisht, teksa lexojmë ajetet e këshillave të Lukmanit të urtë drejtuar të birit, mësojmë se është me shumë rëndësi në jetë që të përkujdesemi për edukimin e fëmijëve tanë, të flasim me ta, t’i këshillojmë, të ndjekim ecurinë e tyre në jetë, të jemi në krah të tyre në momentet vendimtare, t’i përkrahim në vështirësi dhe të përpiqemi me sa të kemi mundësi që fëmijët të kuptojnë e të ndjejnë vlerën dhe madhështinë e familjes dhe prindit në jetën e tyre!

Është shumë e rëndësishme që fëmijët tanë të edukohen me moralin e pastër të besimit dhe fesë, që të jenë individë të shëndoshë, të fortë, largpamës e të urtë në përballjet e tyre me jetën!

Nga takime dhe kontakte të shumta, vihet re, në shumë raste njerëzit nuk e njohin Zotin e tyre dhe nuk kanë një dije të qartë rreth Madhnisë së Tij!

Dhe, si fillim i këtij edukimi dhe në zemër të tij qëndron mësimi i Njësimit të Zotit të gjithësisë, duke mësuar fëmija i jonë; djali dhe vajza e jonë, se kjo botë nuk është krijuar vetvetiu, se asgjë nuk ndodh aksidentalisht, se gjithësia e ka Një Zot dhe se ky Zot nuk mund të jetë njeri, si njerëzit, as krijesë, si krijesat dhe se, shenja të shumta përreth nesh, duke nisur nga vetvetja, na marrin për dore drejt besimit në Njësinë e Tij, drejt mbështetjes në këtë besim dhe lutjes së Tij, pa i bërë shok në adhurim!

“Krejt urtësia qëndron tek Njësimi, sikurse krejt budallallëku më i madh qëndron në të bërit shok Atij! Fundi i dijes është Njësimi, sikurse fundi i veprave është përkushtimi! Prandaj, nëse në besim ti je njësues dhe në vepra i bindur, ti qëndron në majë, ti je i suksesshëm, ti je triumfues, ti je fitimtar, ti je i lumtur, ti ke kapur lavdinë prej dy cepave të saj, ti ke njohur fenë, ke vendosur dorën në thelbin e saj dhe ke arritur të fitosh këtë botë dhe të përtejmen! Sepse Njësimi pa bindje, është i pavlefshëm, sikurse bindja pa Njësim nuk ka vlerë! Dhe, kur i Madhëruari thotë se: ‘idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe’, imagjino se sa padrejtësi e madhe që është!”.[2]

Transmetohet nga Ebu Dherr Gifariu, hadithi i njohur, ku Resulull-llahu (a.s.) na mëson se Zoti i gjithësisë ka thënë: “O robët e Mi, sikur i pari i juaj dhe i mbrami i juaj; sikur njerëzit dhe xhinët, të ishin në gjendjen e njeriut me zemrën më të përkushtuar, kjo nuk do të shtonte asgjë në Mbretërinë Time!

O robët e Mi, sikur i pari i juaj dhe i mbrami i juaj; sikur njerëzit dhe xhinët të ishin në gjendjen e njeriut me zemrën më të shthurrur, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga Mbretëria Ime…”.[3]

Nga këtu, është me shumë rëndësi të edukojmë fëmijët tanë me kuptimin e drejtë të cilësive të Krijuesit të gjithësisë, përpara të Cilit jemi krejt të barabartë, sikurse jemi ftuar të mësojmë dhe të dijmë se nuk ka zot tjetër pos Tij dhe se, po të kishte më shumë se Një Zot, kjo botë do të prishej: “Dije se nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç All-llahut!”[4], “Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç All-llahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. Qoftë i lavdëruar All-llahu, Zoti i Arshit dhe i lartësuar mbi çka ia veshin Atij!”.[5]

Në komentin e ajetit të këshillës së Hz. Lukmanit drejtuar të birit lexojmë se prej kuptimeve të padrejtësisë  së përmendur në fjalën e tij është edhe: “Padrejtësia e bërë vetvetes: pasi e vendosën atë në një vend, që nuk është vendi i saj dhe e çuan drejt shkatërrimit, pasi Krijuesi e krijoi atë në më të bukurën e formave…

Ose: padrejtësia ndaj mirësive të All-llahut: pasi e devijuan falënderimin drejt jokrijuesit të tyre.

Ose: bënë padrejtësi të madhe: duke mos pranuar dëshminë e Njësimit të All-llahut dhe faktin se Ai është Zot, të cilën e vendosi në krijimin dhe formën e secilit. Sepse Krijuesi vendosi në krijimin e secilit prej nesh dëshmi të Njësimit dhe faktit se Ai është Zoti. Kjo është padrejtësia më e madhe.”.[6]

Transmetohet se kur u shpall ajeti 82 i sures El-En’am: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi, pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar”[7], sahabët u ndjenë keq[8] dhe iu drejtuan të Dërguarit (a.s.): “E cili prej nesh nuk i bën padrejtësi vetvetes?”. Resulull-llahu (a.s.) ia ktheu: “Nuk është ashtu si e mendoni, por ashtu siç iu drejtua Lukmani të birit: ‘O djali im, mos i shoqëro All-llahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe’!”.[9]

Të dashur besimtarë,

Fëmijët janë amanet, që nuk duhet lënë në dorën e askujt, aq më tepër kur bëhet fjalë për formimin fetar, mbi të cilin ndërtohet edhe e ardhmja e tyre. Fëmijët tanë duhet të mësojnë se Krijuesi i gjithësisë, “All-llahu Fuqiplotë cilësohet me cilësi të përkryera  dhe është i lirë nga të gjitha vetitë e mangëta…”.[10]

Le të përkushtohemi me sa të kemi mundësi dhe përtej tyre me djemtë dhe vajzat tona, sepse investimi më i mirë në jetë është ai që bëjmë për brezin e ri, me shpresën që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja dhe e ardhmja, më e sigurtë se e sotmja.

Dhe, pa dyshim, garancia për një të ardhme të sigurtë për njerëzimin qëndron në edukimin e drejtë të fëmijëve!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 1 maj 2020


[1] Kur’ani, Lukman: 13.

[2] Dr. Muhammed Ratib En-Nabulsi, Tefsirun-Nabulsi, Muessesetul-Fursan botimi i parë, Aman, 2016, vëll. 7, f. 175.

[3] Transmetuar nga Imam Muslimi, nga Ebu Dherri (r.a.).

[4] Kur’ani, Muhammed: 19.

[5] Kur’ani, El-Enbija: 22.

[6] Ebul-Mensur El-Maturidi, Te’vilatu Ehlis-Sunneh, Darul-Kutubil-Ilmijje, Bejrut, 2005, botimi i parë, vëll. 8, f. 302.

[7] Kur’ani, El-En’am: 82.

[8] Imam El-Kurtubi, El-Xhamiu li-ahkamil-Kur’an, Darul-Hadith, Kajro, botimi i dytë, 1996, vëll. 14, f. 64.

[9] Transmetuar nga Imam Muslimi, si në tefsirin e Imam Kurtubiut, vëll. 14, f. 64.

[10] Prof. dr. Muhammed Seid Ramadan El-Buti, të vërtetat e patundshme të besimit islam, Asr, Tetovë, 2004, f. 87.