Ditën e diel, më 3 maj 2020, përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Lavdrim Hamja me disa të rinj nga fshati Drisht vizituan familjen e z. Bashkim Radaj dhe panë nga afër gjendjen e vështirë dhe kushtet e mjerueshme, në të cilat banonte.
Në prononcim për mediat, teologu Hamja falënderoi rininë e fshatit Drisht, emigrantët e zonës së Postribës dhe të gjithë ata, të cilët u treguan të gatshëm të ndihmojnë këtë familje.
Gjithashtu, teologu Hamja, ndër të tjera tha: “Fillimisht është detyrë e institucioneve përkatëse, që qytetarëve të vendit t’u sigurojnë kushtet minimale të jetës dhe të banesës. Nuk është e drejtë, që dikund të derdhen miliona lekë pa asnjë mbikëqyrje, ndërkohë që ka familje, të cilat nuk kanë as kushtet minimale të jetës dhe as të banimit. Në këtë familje, varfëria jo vetëm është ulur këmbëkryq, por ka zënë vendin e njerëzve dhe nuk i lë të jetojnë!”.
Me këtë rast, Myftinia Shkodër dhuroi disa pako ushqimore, pasi kjo familje nuk zotëronte as me çfarë të ushqehej.
Rinia e fshatit morën angazhim që të kontribuojnë me fuqi punëtore për rregullimin e kësaj banesë.
Myftinia Shkodër bën thirrje, që çdokush që ka mundësi të kontribuojë, që kjo familje të jetojë në mënyrë dinjitoze si gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi.