Ditën e mërkurë, më 24 qershor 2020, përfundoi faza e fundit e pastrimit dhe mirëmbajtjes së pjesës së brendshme të kupolave të xhamisë së Parrucës.
Prej ditëve të para të muajit prill 2020, falë edhe angazhimit dhe shërbimeve të muezinit të xhamisë së Parrucës, z. Besnik Saraçi, u arrit që pjesa kryesore e dëmtimeve të akumuluara prej vitesh, të kryhej e të pastrohej.
Më pas, sektori i vakëfeve pranë Myftinisë Shkodër, në prag të Natës së Kadrit dhe Fitër Bajramit që kaloi, vijoi me lyerjen e pjesshme të ambienteve të brendshme të xhamisë së Parrucës.
Ndërkohë sot, u krye me sukses edhe faza e mbetur e këtij aksioni me dobi për xhaminë e Parrucës.
Myftinia Shkodër falënderon vëllaun e nderuar, Zamir Spahija dhe të nderuarin Besar Pashaj, për përkushtimin dhe shërbimin e çmuar për kryerjen me sukses të kësaj faze të rëndësishme.
All-llahu ia shpërbleftë krejt atyre që punojnë dhe veprojnë në shërbim të xhamive dhe besimtarëve, duke u bërë shembuj që ndiqen në një shoqëri vlerash.