Mbrëmjen e së shtunës, më 26 shtator 2020, në vazhdën e ciklit të ligjëratave me temë: “Xhamia na mbledh, drita e All-llahut na udhëzon!”, u mbajt ligjërata me temë: “Falënderimi dhe mirënjohja ndaj Zotit”, nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari.
Në ligjëratën e mbajtur pas namazit të akshamit në xhaminë e Muriqanit, Ana e Malit, Myftiu i Shkodrës shprehu në krye të herës falënderimet dhe vlesimin e tij për imamët e nderuar të zonës për punën e palodhur dhe kontributin për gjallërimin e jetës fetare e kulturore, nëpërmjet aktivitetit të xhamisë dhe me komunitetin e gjerë.
Myftiu ligjëroi rreth temës së mirënjohjes ndaj Zotit në jetën e përditshme, ku vuri theksin tek disa argumente që na ftojnë të meditojmë rreth mirësive pa fund, me të cilat, All-llahu i Madhëruar e ka zbukuruar jetën tonë, si: siguria, shëndeti, ushqimi, etj.
Myftiu vuri theksin tek domosdoshmëria e respektimit të mirësive të Zotit në jetë dhe kthimit përherë tek sekretet e besimit, që i dhurojnë njeriut paqen e brendshme dhe rehatinë e shpirtit.
Ai theksoi se edhe vetë falënderimi, me të cilin besimtari i shpreh mirënjohjen e tij All-llahut (xh.sh), është mbarësi nga vetë Zoti për njeriun, si për t’i thënë: “Unë dua ta dëgjoj zërin tënd duke më falënderuar!”.
Cikli i ligjëratave javore do të vijojë edhe në xhami të tjera të qytetit dhe të fshatit.