Ditën e hënë, më 21 dhjetor 2020, pas namazit të akshamit, teologu Lavdrim Hamja mbajti një ligjëratë me temë “Më e mira përgatitje është përkushtimi…” në xhaminë e Mes-Myselimit.
Në prani të besimtarëve, që kishin ardhur për të dëgjuar ligjëratën, teologu Lavdrim Hamja, imam i xhamisë së “Dy Vajzave”, foli rreth kuptimit të përkushtimit përmes adhurimeve. Përmes ajeteve kur’anore, haditheve të Pejgamberit (a.s) dhe shembujve të ndryshëm u ndal tek rëndësia e përkushtimit, ku besimtari mysliman, përmes kryerjes së adhurimeve të ndryshme, e përkthen këtë përkushtim në moral të bukur, sjellje të mirë, vepër shembullore dhe fjalë me vlerë e dobi.
Ai theksoi, se përkushtimi i myslimanit nuk vihet re shumë në adhurimet e detyrueshme, si namazi, agjërimi, haxhi apo zekati, por ai shfaqet qartë në faljen, tolerimin, ndihmën dhe dhembshurinë që besimtari u dhuron të tjerëve, kushdo qofshin ata, të afërm apo të largët.