Paraditën e së martës, më 22 dhjetor 2020, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti drejtorin e Drejtorisë Vendore Shkodër të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, z. Genc Berhani.
Gjatë takimit, Myftiu e njoftoi z. Berhani për problematikën e mosregjistrimit të dhjetëra pronave të Myftinisë Shkodër me gjithë interesimin e vazhdueshëm të Myftinisë dhe përpjekjet për legjitimimin e xhamive të shumta në qytet e fshat, duke pasur në vëmendje se të gjitha xhamitë e Shkodrës janë ndërtuar brenda vakëfeve të vjetra të faktuara me dokumentet përkatëse dhe se në asnjë rast nuk kemi shkelje a zaptime në ndërtime, që në Islam janë të ndaluara rreptësisht.
Myftiu dhe drejtori i Kadastrës së Shkodrës ranë dakort për listën e objekteve që presin certifikatën e legalizimit, duke specifikuar prioritetet, për të ndjekur me korrektësi të gjitha etapat për realizimin e qëllimit për legalizimin e ndërtimeve të kryera nga Myftinia Shkodër në tre dekadat e fundit, që në të gjitha rastet janë objekte a qendra komunitare, që i shërbejnë bashkësisë më të madhe fetare në Shkodër e në Shqipëri.