VE ALEJKES – SELAM…
-Shënime të reja për librin “VE ALEJKES – SELAM… të autorit Muhamed B. Sytari (Botim i parë, Shkodër, 2008; Botim i dytë (i korrigjuar, i plotësuar dhe i shtuar) i Sh. B. “ASR”, Tetovë, 2020).
Libri “VE ALEJKES – SELAM…” i autorit Muhamed Bardhyl Sytari, fillimisht ka njohur si botim të parë vitin 2008; ndërsa si botim të dytë vitin 2020, por në këtë ardhje, libri vjen i korrigjuar, i plotësuar dhe i shtuar. Botuar hijshëm dhe kujdes të veçantë nga Sh. B. “ASR”, Tetovë.
Në këtë hapësirë kohore nga botimi i parë tek i dyti të lindin shumë pyetje, si këto: – Pse autori iu kthye kësaj vepre, përsëri?, – Pse autori nuk e ndërpreu komunikimin me veprën e tij, edhe pse kalonin vite?, – Ç’është për autorin gjurma e një libri?, – Po jeta e një libri ç’është për autorin?, … E, kështu mund të bënim edhe pyetje të tjera me natyrë teologjike, antologjike, letrare, filozofike…
Lidhur me këto pyetje, për marrëdhëniet autor – vepër –lexues, për raportet dhe bashkëlidhjen e këtyre, për rëndësinë dhe përgjegjësinë e autorit, duke pasur si objekt librin në fjalë; po sjell si shembull për ilustrim një fragment nga shkrimi “Shkrimtari dhe pena e tij”, marrë nga libri “Tregime nga hija” të autorit Enes Kariq.
Citoj: “U sëmur një shkrimtar shtatëdhjetështatë vjeçar prej një sëmundjeje të tmerrshme, i dridheshin duart dhe koka.
Megjithatë, për një kohë të gjatë në gjoks ruajti tregimin e vet të fundit, dëshiroi që t’ia linte botës si porosi të vetën.
Por, sa herë me dorën e vet të vjetër mbante penën dhe provonte të shkruante tregimin e tij të fundit, ishte i pasukseshëm.
As dorën nuk mund ta qetësonte, as penën ta vendoste mbi fletën e bardhë të fletores së hapur.
Shkrimtari atëherë e lëshonte penën mbi tavolinë, qante, shkonte drejt dritares, shikonte livadhet dhe kodrat, shihte se vera po shkonte drejt fundit të vet, në prag ishte vjeshta e gjatë.
Ndalej shkrimtari më pas në mes të dhomës, e tregonte me zë tregimin e tij, amanetin e tij.” (Kariq, Enes: “Tregime nga hija”, roman, shkrimi: “Shkrimtari dhe pena e tij”, f. 34, Botues: BOTIMET FLETA; Prizren, 2019).
Siç e shikojmë, citimi mbaron me fjalët: “…, amanetin e tij.” (i shkrimtarit).
Kjo qasje vlen dhe për veprën e ribotuar të autorit Muhamed Bardhyl Sytari. Ai e konsideron veprën amanet. Si të tillë, ai iu kthye përsëri asaj: diku duke thelluar një argument, dikur duke qartësuar e plotësuar një problematikë, diku duke e korrigjuar, diku duke i dhënë atmosferë poetike, diku…, pra duke i dhënë frymë jete aq të nevojshme për realitetin ekzistues, për lexuesit e tij, si dhe nesër për gjeneratat e reja. Vepër – Amanet!
Fenomeni i AMANETIT është në çdo libër të autorit. Kjo është arsyeja që po të merresh me studimet e veprave të tij nuk e ke vështirë të diktosh lidhjen e tyre, pavarësisht gjinive apo zhanreve që lëvron. Kjo dukuri nuk ndodh shpesh te autorët. Ndodh tek autorët me personalitet. Kjo ndërlidhje, fryma që mbartin ato, e kanë amën në një burim të pastër, që quhet Shkolla e Thirrjes Islame, ku autori me dijet e kulturën e tij, i mbetet besnik. Po të huazonim, përsëri, shprehjen nga citimi i lartpërmendur, Autori në rrëfimet dhe ligjërimet e tij nuk bën gjë tjetër, veçse plotëson AMANETIN. Dhe këtë AMANET e formëson në hapësira dhe këndvështrime të reja, të nevojshme dhe të domosdoshme për të plotësuar dhe vazhduar më tej Misionin e tij.
Analizë: “Ecejake në labirinthet e mendjes së një Thirrësi Islam”
Është një prozë poetiko-meditative, ku autori e ka shkruar 16 vjet më parë. Teksti dhe konteksti kanë në qendër një Thirrës Islam. Ky portret i vizatuar, i zbërthyer në detaje e në ngjyra të dritëshme bashkëngjizet herë pas here me pohime e ripohime të fuqishme të autorit, të cilat për Thirrësin Islam kanë vlerë misionari në jetë.
Me këtë prozë rrëfimtare hapet libri dhe i shërben atij si parathënie e si udhërrëfim për të sotmen dhe të ardhmen. Është një rrëfim real, i besueshëm dhe i pajisur me një bibliografi të pasur, i cila shërben për të universalizuar misionin e begatë të Thirrësit Islam.
Teksti është i shkruar në vetën e tretë, për arsye të hapësirës së komunikimit dhe për ta pasur autori si objekt qendërzimi. Tek Thirrësi Islam shëtit realja dhe shumësia e komunikimit, veçanërisht në jetën e përditshme.
Autori për të rritur intensitetin e subjektit si personazh si figurë letrare përdor anaforën, të cilën e ka edhe në rolin e funksionit të lejtmotivit, i cili është bindës e jetësor.
Po e konkretizojmë:
“Ai është një Thirrës Islam. … Ai mendon për të mirën e çdo njeriu. … Ai beson në Zotin e Vetëm e të Pashoq, në Allahun, Mëshiruesin mëshirëbërësin.”
…
“Ai beson… … ai lodhet… … ai mendon, hulumton, nxjerr përfundime dhe fton drejt Dritës. … ai provon… ai prezantohet…”
…
“Ai nuk e njeh pesimizmin… Ai jeton dhe punon me krenari legjitime… Ai frymëzohet ditë pas dite nga thirrja hyjnore…”
…
“Ai çdo ditë kuvendon… Beson… E di fare mirë…”
Që të gjitha këto përsëritje që shpërfaqen në tekst na falin situata të ndryshme e bindëse dhe kanë frymë jete. E që të kenë frymë jete, në këto lejtmotive porositë e herë pas hershme mbeten piketa të ndritshme në rrugën e përparimit të personazhit.
Nëpër gjithë tekstin, pra në çdo rresht, aftësia e rrëfimit është e tillë sa na duket (dhe kjo është e vërtetë) Thirrësi Islam është një i njohuri ynë dhe lëviz në gjithë ecejaket e tij. Nga që është i besueshëm dhe beson; autori tekstin e fillon me frazën: “Ai është një Thirrës islam” dhe e përfundon, përsëri, me fjalinë: “Ai është një Thirrës Islam..!”
Si përfundim: Ai jeton dhe koha jeton. Ai i jep dritë kohës dhe koha e nderon. Ai kuvendon me njerëzit dhe koha e përjetëson, si dëshmi, siç e porosit autori: “Ti përmbaju asaj që po të shpallet, se s’ka dyshim se ti je në rrugë të drejtë!”
Në skalitjen e portretit të Thirrësit Islam, pra, në paraqitjen e tij, në ecejaket e tij rrezaton njerëzorja e pse jo hyjnorja. Për rrjedhojë Thirrësi Islam, për vlerat e çmuara e të virtytshme që mbart, në fund të fundit mbetet një njeri i zakonshëm, me një jetë të zakonshme, por edhe jo i zakonshëm.
Dua të përsëris edhe një herë porosinë që autori i rikujton Thirrësit Islam: ““Ti përmbaju asaj që po të shpallet, se s’ka dyshim se ti je në rrugë të drejtë!” Fraza e fundit: “… ti je në rrugë të drejtë!”, me sjell ndër mend këtë paragraf nga leximet e mia të fundit të një vepre të një autori të huaj. Citoj: “Një buzëqeshje sipërane përshkoi buzët e tij të holla. Ai mori të vazhdonte udhën. “Drejtësia është gjithçka”, tha ai; “Drejtësia është e para, drejtësia është e fundit. Ai që nuk e kupton këtë, do të vdesë.”
***
Përse ky libër, ashtu si librat e tjerë të autorit Muhamed Bardhyl Sytari duhen lexuar?
Për një moment po ndalemi kësaj radhe te ky libër, pasi e kemi objekt shqyrtimi.
Së pari, për rrëfimet e besueshme në funksion të problematikave shoqërore, sociale dhe jetësore.
Autori shkruan: “Një shoqëri që zhvishet nga turpi dhe vepron kundër Zotit të saj ngjan me atë që shkon drejt greminës duke injoruar fundin e tij drejt shkatërrimit!? Ajo e ka të sigurë përfundimin drejt mjerimit dhe jetës së vështirë, pa begati, pa qetësi, pa gëzim, sikur dëshmojnë në realitetet e jetuara në mesin e shoqërive të kësaj kohe.”
Së dyti, për dimensionin e misionit të teologjisë në shërbim të njerëzve.
Së treti, për evidentimin e vlerave të njerëzve, dijetarëve, dijeve dhe librit si pasuri e çmuar. Herë pas here KUJTESA është e pranishme.
Së katërti, për kujtimet, drita e tyre dhe vitet që rrezëllijnë si gurë të çmuar në jetën e një njeriu.
Së pesti, për stilin e rrjedhshëm, frazeologjinë e pasur, lakonizmin dhe poetikën e frazës…, të cilat janë disa veçori të stilit të autorit.
Dhe në fund: Autori Muhamed Bardhyl Sytari e kreu amanetin ndaj këtij libri të vyer në mënyrën më të dinjitetshme. Libri me mesazhet e dritësinë e tij të plotë vjen në duart e lexuesit, si bashkëbisedim i ri për shumë tema të natyrës teologjike, historike dhe aktuale. Libri me mesazhet e dritësinë e tij hyn denjësisht në bibliotekat tona. Për të shtuar diturinë, ky libër duhet shfletuar… Se një libër rrëfen një histori a disa, është një copëz realiteti, i ngjan një përmendoreje, është dëshmi dhe epokë.
Xhahid Bushati
Shkodër, 23.01.2021