Libri në Islam gëzon një pozitë të lartë dhe rëndësi të madhe, ndërsa njerëzit e dijes, ata konsiderohen trashëgimtarë të profetëve të Zotit.
Për shkrimin dhe librin, Allahu i Madhëruar është betuar në Kur’anin Famëlartë, duke thënë: “Nun! Pasha lapsin dhe atë që shkruajnë!”[1], dhe: “Pasha Turin; dhe librin e shkruar!”[2]
Libri “Ve Alejkes-Selam…” me autor Myftiun e Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i shkruar vite më parë dhe i ribotuar me shtesa dhe përmirësime të dobishme, është një libër me dobi dhe me vlerë në përgjithësi, por veçanërisht për të rinjtë, të rinjtë në moshë, por edhe të rinjtë në rrugën e praktikimit të obligimeve fetare dhe të përkushtimit ndaj fesë dhe Krijuesit.
Në këtë bashkëbisedim kam dëshirë të ndalen në tre pika interesante, ku autori i ka kushtuar tre shkrime me vlerë dhe përkujdesje të madhe.
Qëllimi në jetë – ku autori e ka shprehur në shkrimin me titull: “Ecejake në labirinthet e mendjes së një thirrësi islam”, pasi secili prej nesh, i ditur apo besimtar i thjeshtë, në fund të fundit të gjithë jemi thirrësa, ku me sjelljen, moralin, fjalët dhe tërë jetën tonë, i ftojmë njerëzit drejt fesë. Në këtë shkrim, gjejmë shprehjen e famshme: “Zoti im, Ti je qëllimi im, pëlqimi Yt është kërkesa ime!”, që padyshim duhet të jetë motoja e jetës së një besimtari të përkushtuar, i cili qëllim të jetës së tij, ka arritjen e kënaqësisë së Zotit përmes çdo gjëje, që vepron dhe punon gjatë jetës së tij.
Ai shprehet, për thirrësin islam, se: Beson se çdo njeri, me vullnet e dëshirë të mirë, mund të bëhet edhe më i mirë nga ç’është në realitet..; Beson se çdo njeri, ka mundësi të arrijë kënaqësinë e besimit, të zhytet e të marrë nga ç’i jepet, vetëm nëse e gjen rrugën e duhur për të arritur atje, i lumtur, i qetë, i pacënuar, krenar”[3].
Puna dhe fitimi hallall – Në kohën e sotme, ku gjetja e një pune për të ushqyer familjen dhe për të fituar pasurinë në rrugë të lejuara hallall, është bërë e vështirë, autori tërheq vëmendjen për rëndësinë e punës dhe vlerën e hallallit në shkrimin: “Puna dhe kafshata e pastër”.
Pasi e nis me ajetin kuranor të sures Xhuma: “E, kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e Allahut, por edhe përmendeni shpeshherë Allahun, ashtu që të gjeni shpëtim”, thotë: Ajeti kuranor është argument që na frymëzon se Islami është nxitës i besimtarit për të punuar e për të sakrifikuar për jetesën e tij, në mënyrë që ajo të ngrihet mbi baza të qëndrueshme materiale. Sepse Islami e ka konsideruar pasurinë, si njërën prej pesë shtyllave të tij[4].
Më pas sjellë porosinë e Pejgamberit (a.s), për t’i treguar të gjithëve, por veçanërisht të rinjve, se të jetuar me djersën e punës së tij është fe dhe dinjitet: “Të marrë ndonjëri prej jush litarë, të ngjitet në mal dhe të vijë me një turrë drunjësh mbi shpinën e tij që t’i shesë, që Allahu (xh.sh) t’ia mbulojë fytyrën me to, është më e mirë se sa të kërkojë nga njerëzit; kush i dha e kush s’i dha!”
Ky hadith – thotë autorit – është shumë i qartë në atë se njeriu duhet të përpiqet me sa ka mundësi për të punuar me djersën e ballit, me pastërti e përkushtim dhe të mos mbështetet asnjëherë në duart e të tjerëve, duke kërkuar lëmosha prej tyre[5].
Ndërsa, kur autori flet për kafshatën e pastër, e cila është shkak edhe për pranimin e lutjes, thotë: Përzierja e haramit me hallallin në tryeza bën që begatia të largohet dalëngadalë nga vendi e shoqëria dhe hijet që shoqërojnë të keqen të bëhen dashja pa dashje pjesë e pandarë e rretheve tona familjare e shoqërore!?
Këtë e ilustron me një shembull shumë domethënës, që shërben si thirrje e sinqertë për ta ruajtur veten dhe familjen nga harami, e thënë nga njerëz që janë njohur për përkushtimin e tyre, Rabia El-Adevije, që i thotë të atit: “O baba! Nuk ta bëj hallall nëse na ushqen me haram”. I ati i tha: Po sikur të mos gjej vetëm se haram? Ia ktheu: “E durojmë urinë në këtë botë, më mirës se të durojmë dënimin e botës tjetër!”[6]
Opinioni dhe pasuria jonë intelektuale – “Ah sikur nxënësit e medresesë…” një shkrim tepër i veçantë, pasi sjell përpara nesh një realitet, të cilin e gjejmë shpeshherë në bisedat dhe takimet tona. Autori merr shkas nga një ngjarje e vërtetë, që i ka ndodhur, ku disa njerëz kanë krijuar disa opinione apo këndvështrime të tyre rreth Islamit dhe myslimanëve në vend, por që në fakt nuk përputhen me realitetin. Ndër to, është edhe takimi dhe biseda e autorit me një intelektual shkodran, i cili mendon se një institucion islam në Shkodër, siç është Medreseja, i formon nxënësit vetëm me prirje fetare!
Autori, me shumë kompetencë dhe argumente nga jeta fetare e prijësve myslimanë, i paraqet bashkëbiseduesit të tij dhe i provon, se opinioni i përhapur nuk është real dhe se pasuria intelektuale hoxhallarëve shkodranë është për t’u marrë shembull dhe është krenari për mbarë besimtarët. Ai thotë: Gjëja e parë që mund të bëjë dikush në rast dëgjimi të kësi lloj opinionesh (që sidoqoftë, në Shkodër gjen plot, sidomos në rrethet e të kompleksuarve) është të habitet dhe të qeshë njëkohësisht me naivitetin e “opinionistëve”, që prodhojnë këto mendësi në një qytet që mburret me kulturën e dijen!?[7]
Më pas, autori shpreh dëshirën e tij, duke iu drejtuar djemve dhe vajzave të këtij qyteti, të cilët mësojnë në medresenë tonë, por njëkohësisht edhe nxënësve të tjerë në shkolla të tjera, me thirrjen: “Ah sikur nxënësit e Medresesë së Shkodrës…” të kenë simbol krenarie Hafiz Jusuf ef. Tabakun,.. të përfitojnë nga Daut efendi Boriçi,.. nga besnikëria e Hafiz Halit Bushatit, të kenë shembull për bindjet e tyre politike Hafiz Musa Dërgutin, që për komunizmin thoshte: Dushman i Allahut, pa Din e pa Iman…, të përkujtojnë Hafiz Ibrahim Repishtin, Hafiz Salih ef. Myftinë, e të marrin shembull djalin besnik e fisnik të Shkodrës, H. Vehbi S. Gavoçi.
Pra, secili mysliman shkodran dhe shqiptar, duhet ta ndjejë veten krenar për vlerat dhe pasurinë intelektuale, kulturore, kombëtare dhe fetare, dhe kontributin e brezave të parë, të cilët me veprën dhe shembullin e tyre, i kanë bërë nderë dhe i kanë sjellë dobi njerëzve dhe vendit.
Nuk dua të zgjaten më tepër, sepse librin e keni përpara, dhe kam bindjen se do ta lexoni me vëmendje dhe do të mbeteni të kënaqur, vetëm se desha t’ju shtojë më tepër kureshtjen, që ta lexoni me vëmendje dhe të përfitoni prej asaj, që Imam Muhamed B. Sytari, ka sjell me shumë përkushtim dhe kompetencë në librin “Ve Alejkes-Selam…”.
Po e mbyll me përgjigjen që autori sjell pas takimit të fundit të Resulullahut (a.s) me sahabët e tij, ku thotë: “Jepini selam prej meje vëllezërve tuaj që munguan dhe kujtdo që do të hyjë në fenë tuaj pas meje. Ju dëshmoj se unë u jap selam atyre dhe kujtdo që do të më ndjekë në fenë time nga kjo ditë e deri në ditën e kiametit”.
Ndërsa neve – thotë autori – s’na mbetet vetëm se ta kthejmë me zemër këtë Selam: “Ve alejkes-Selam ja Resulallah!”.
Allahu të dhashtë mbarësi dhe sukses, vëlla i shtrenjtë Muhamed Sytari; Zoti ta shtoftë dijen dhe të bëftë pishtar të udhëzimit të njerëzve drejt Islamit.
Ju faleminderit!
Lavdrim Hamja
Shkodër, 23 janar 2021
[1] Kur’ani, El-Kalem: 1.
[2] Kur’ani, Et-Tur: 1-2.
[3] F.10-11.
[4] F. 49.
[5] F. 50.
[6] F. 53.
[7] F. 98.