Mesazhi i Myftiut të Shkodrës, me rastin e Muajit të Begatë të Ramazanit 1442/2021

Bismilahi Rrahmani Rrahim – Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!

Të dashur dhe të shtrenjtë vëllezër dhe motra besimtare!

Me mbarësinë e Allahut (xh.sh) sonte me namazin e akshamit të gjithë në bëhemi gati për të hyrë në atmosferën e begatë të muajit të madhërueshëm të Ramazanit.

Ditën e nesërme me 13 Prill 2021, nisim agjërimin e ditës së parë të këtij muaji të madhërueshëm që e presim me mall dhe me zemër të madhe.

Ditën e sotme kisha një bashkëbisedim me një djalë të ri besimtar, i cili po më pyeste rreth disa shokëve të tij që konsumonin alkoolin, mirëpo që kishin bërë nijet me agjëru Ramazanin e këtij viti, dhe po më thoshte : “A lejohet që ata, të cilët deri dje kanë konsumuar alkool të agjërojnë sivjet?”

SubhanAllah, pata një gëzim shumë të madh në zemër dhe i thashë: “Patjetër, Allahu (xh.sh) është i gëzuar dhe i bekon me mëshirën e Tij të gjithë ata që heqin dorë nga gjynahet dhe nga ndalesat dhe përkushtohen në këtë muaj të madhërueshëm të Ramazanit për të nisur një jetë të re dhe një marrëdhënie të re me Zotin e gjithësisë.

Që do të thotë se, të gjithë ne kemi mundësinë që me fillimin e muajit të madhërueshëm të Ramazanit të përmirësojmë diçka nga sjellja e jonë, nga komunikimi ynë, nga marrëdhënia jonë me të tjerët, në mënyrë që të afrohemi dhe të lartësohemi në gradët më të larta të përkushtimit dhe me njëri tjetrin.

Të dashurit e mi, muaji i madhërushem i Ramazanit nuk është muaji i të qëndruarit thjeshtë pa ngrënë dhe pa pirë nga një moment deri në një tjetër, nga një cak në një tjetër, porse është mundësi e madhe që na jepet nga Zoti i gjithësisë, që të agjërojnë gjymtyrët tona nga gënjeshtra, nga mashtrimi, nga zilia, nga përtacia, nga çdo gjë e keqe që na ndalon për t’u afruar me Zotin e gjithësisë.

Është momenti që të largohemi dhe të distancohemi nga thashethemnaja, nga përgojimi, nga përfolja e të tjerëve, dhe të punojmë me sa të kemi mundësi që t’i dëshmohemi Zotit të gjithësisë si robërit e Tij të përkushtuar, në mënyrë që kur të vijë momenti i iftarit, të themi me zemër : Zoti im për Ty agjërova! Pra, për Ty nisa një rrugëtim të ri për t’u bërë më i mirë, dhe për t’u dëshmuar njeri ndërtues në realitetin ku unë jetoj.

Sonte të bëhemi gati me zemër të madhe për këtë mik të madh që na vjen nga Zoti i gjithësisë, për të marrë bekime dhe për të shpresuar për më të mirën.

Vitin që kaloi e kishim të vështirë agjërimin në kushtet ku ishim, sivjet falë Zotit edhe falë edhe lutjeve të shumta të besimtarëve, situata është pak më e përmirësuar, që do të thotë se ne jemi të ftuar nga Zoti i gjithësisë të vlerësojmë çdo ditë të dashurit e mi, çdo ditë e re është një mundësi e re, çdo ditë e re është një mundësi nga Zoti i gjithësisë për ta falënderuar Atë për jetën që na e ka dhënë, për ta falënderuar Atë për mirësitë që na ka dhënë, dhe nëpërmjet tyre me ec përpara me sa të kemi mundësi, me kriju hapësira të reja të të mirës, për ta ndërtuar të mirën, për ta zhvilluar të mirën, dhe për të lënë gjurmë të mira sepse nuk i dihet kur do të largohemi nga kjo botë.

Sivjet e nisim Ramazanin dhe shumë prej të afërmve dhe prej të dashurve e të shtrenjtëve tanë nuk janë me ne në mesin tonë, që do të thotë se, të gjithë jemi të ftuar nga Zoti i gjithësisë për ta falënderuar Atë për mundësinë e madhe të jetës dhe të komunikimit dhe të besimit që na ka dhënë, në mënyrë që sa të jemi në këtë botë dhe sa të jemi në këtë jetë të ndërtojmë të mirën dhe të punojmë për të mirën.

Të distancohemi nga e keqja, të distancohemi nga haramet, e të distancohemi nga çdo gjë për të cilat nuk është razi Zoti i gjithësisë.

Të dashurit e mi, po vjen Ramazani, i cili mund me dritën e Zotit, çdo të keqe përreth nesh, po vjen Ramazani dhe le ta përhapim gëzimin e madh të këtij muaji të begatë, dhe të jetojmë me përkushtimin e këtij muaji të begatë duke dëshmuar besimin në Allahun, dashamirësinë për njëri tjetrin, dashninë për tokën tonë dhe atdheun tonë. Allahu ju dashtë dhe ju pastë në mbrojtjen e Tij! Me zemër të mirë Ramazanin !

Ve selam alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu.

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Mesazhi i urimit me rastin e fillimit të Muajit Ramazan 1442/2021)