Në të gjitha xhamitë e Shkodrës u falë xhumaja e parë e muajit të madhëruar të Ramazanit 2021/1442 me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve të moshave të ndryshme, të cilët përjetuan kënaqësinë gjatë dëgjimit të hytbes në lidhje me rëndësinë dhe vlerën e madhe që ka Ramazani si dhe më pas për namazin dhe lutjet që kryejnë në shtëpitë e Zotit Fuqiplotë, ndryshe nga viti i kaluar, që për shkak të kufizimeve nga pandemia e koronavirusit nuk kanë pasur mundësi të falin namazin e xhumasë në xhami.
Nga xhamia e “Dy Vajzave”, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari tërhoqi vëmendjen ndaj hakut të Kur’anit në jetën e muslimanit. Ndër të tjera tha: “Kur’ani është libër i Zotit të gjithësisë, ku u drejtohet mbarë njerëzimit, jo vetëm muslimanëve. Kur’ani është i mbarë njerëzimit, sepse është esenca e të gjitha librave të mëparshëm. Në Kur’an do të gjesh gjurmët e Teuratit, do të gjesh thelbin e Inxhilit, do të gjesh esencën e Zeburit, sikurse do të gjesh thelbin e fjalëve të pejgamberëve të mëparshëm…”.
Myftiu nënvizoi se madhështia e këtij muaji është në sajë të madhështisë që ka vetë Kur’ani Famëlartë, i cili ka filluar të zbresë në këtë muaj të begatë, si udhërrëfyes për mbarë krijesat e Zotit xh.sh.
Ndërkohë nga minberi i xhamisë “Ebu Bekër”, imami i saj, Idmir Plaku u përqendrua tek tema: “Muaji i Ramazanit, muaji i ndryshimit”. Ai gjatë kësaj teme vuri theksin tek ndryshimi i sjelljes së besimtarit, me synimin për të qenë gjatë këtij muaji dhe në vijim më afër Zotit, pikërisht me moralin më të mirë, me ndryshimin e pozitës së besimit drejt një qasje më pranë qëllimit për të cilin është krijuar, që është adhurimi i Zotit dhe për t’iu mbështetur vetëm Atij në çdo situatë, në çdo kohë dhe në çdo vend.
Në xhaminë e Tepes, teologu Arben Halluni foli mbi: “Urtësitë që ka secili adhurim”. Ai tha se: “Zoti (xh.sh) në çdo adhurim si namazi, zekatin, agjërimi, haxhi etj, ka vendosur urtësinë, vlerën dhe shpërblimin. Janë pikërisht këto elementë që duhet të nxisin çdo besimtarë në udhën e ndriçimit të zemrës me devotshmëri dhe besim permanent dhe të vërtetë “. Teologu Halluni në mes të tjerave tha se agjërimi i Ramazanit na ndihmon ne që të lartësohemi moralisht, fizikisht dhe shpirtërisht…”.
Një mesazh me vlerë ishte edhe ai i dhënë nga imam i xhamisë së Medresesë, Adil Cukali, i cili iu drejtua besimtarëve rreth temës “Veçoritë e Ramazanit”. Në këtë tematikë ai citoi se: “Agjërimi i Ramazanit dallohet nga të gjitha ibadetet dhe atë Allahu (xh.sh) e ka quajtur muaj të nderuar dhe të bekuar në zemrat e besimtarëve. Agjërimi është muaji që në të zbriti fluksin e parë të ajeteve të Kur’anit Famëlartë nëpërmjet Shpirtit Fisnik (Xhebrailit) tek zemra e të dërguarit të Allahut. Muhamedi (a.s): “Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).”
Në fund të çdo xhumaje në xhami të ndryshme të qytetit dhe jo vetëm u bënë dua-lutje, këndim salavate si dhe besimtarët e pranishëm uruan njeri tjetrin: Me zemër të mirë Ramazanin dhe Zoti e bëftë një muaj plot mirësi dhe të pranuar!
Ndiq hytben e plotë të Myftiut, Imam Muhamed B. Sytari: