Paraditen e të xhumasë, më 7 maj 2021, në kuadër të muajit të madhëruar të Ramazanit si dhe në prag të Natës së Madhe të Kadrit, Myftinia Shkodër organizoi shpërndarjen e radhës së ndihmave, pikërisht 30 pako me ushqime për shoqatën e të verbërve Shkodër.
Përfaqësuesi i Myftinisë, teologu Arben Halluni, i cili mori pjesë në këtë organizim në një prononcim mediatik tha se: “Mytinia Shkodër nga fillimi i Ramazanit dhe deri më tani ka shpërndarë rreth 1000 pako me ushqime për familje të ndryshme në nevojë, për skamnorë si dhe për jetimë. Këto ndihma vijnë në sajë të bashkëpunimit që ka Myftinia Shkodër me partnerët e saja nga Turqia, Arabia Saudite, Kuvajti, ShBA, Zvicra, Italia, etj., si dhe nga individë bamirës të qytetit tonë”, u shpreh ai.
Më tej, teologu Halluni u bëri thirrje bisnezmenëve si dhe njerëzve vullnetmirë që në këto pak ditë të Ramazanit që kanë mbetur të afrohen për të ndihmuar shtresat në nevojë në mënyrë që t’ju lehtësohet vështirësia ekonomike si dhe të ndiejnë se nuk janë të vetmuar apo pa shpresë nga institucionet dhe bamirësit, sidomos në këtë muaj të solidaritetit, të humanizmit dhe mirësive.