Ditën e enjte, më 10 qershor 2021, në ambientet e mrekullueshme të lulishtes së xhamisë “Ebu Bekër” në Fushë-Çelë, u zhvillua promovimi i librit “Hyrje në sistemin financiar islam”, një publikim i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, me mbështetjen e Bankës së Bashkuar të Shqipërisë.
Të pranishëm në këtë promovim ishin drejtues të Bankës UBA, drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj, dhe Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari.
Aktiviteti u përshëndet nga Myftiu i Shkodrës dhe nga drejtori i Bankës UBA, z. Amel Kovaçeviç.
Fjalën e rastit e mori edhe drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj, i cili hodhi dritë mbi rëndësinë e këtij libri, të shkruar nga dijetari i shquar islam bashkëkohor, Myftiu Muhammed Takijudin El-Usmani.
Kjo vepër ka si qëllim sigurimin e informacionit themelor mbi rregullat dhe parimet e financave islame, me theks të veçantë në mënyrat e financimit të përdorura nga bankat dhe institucionet financiare jobankare islame.