Ditën e enjte, më 17 qershor 2021, në ambientet e Kompleksit “Zmijani” u hap programi veror i aktiviteteve të larmishme “Mësojmë dhe Argëtohemi”, me pjesëmarrjen e nxënësve të kurseve fetare/mejtepeve të xhamive të Shkodrës.
Në ditën e parë të këtij programi arsimor, kulturor dhe argëtues morën pjesë rreth 120 fëmijë të xhamive: Barbullush, Bardhaj, Zues, Gur i Zi dhe Rragam.
Drejtuesi i arsimit, pranë Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni në fjalën hapëse të këtij programi i uroi fillimisht mirëseardhjen nxënësve të kurseve fetare si dhe prezantoi programin e këtyre aktiviteteve që tashmë janë bërë traditë e përvitshme, duke thënë se përmbajtja e tyre do të përfshijë: konkurse, biseda, lojëra argëtuese e sportive, shëtitje, ekskursione si dhe vizita historike në objekte të trashëgimisë sonë islame dhe kombëtare.
Këto aktivitete kanë për qëllim që fëmijët dhe të rinjtë tanë, përmes këtyre veprimtarive të gjalla të stimulohen, të afrohen më shumë nga e mira dhe larg të keqes, si dhe të argëtohen, përveç arsimimit dhe edukimit, me mësimet fetare që marrin herë pas here në xhamitë tona.
Më pas program vijoi me zhvillimin e një konkursi, bisedave, lojëra të ndryshme sportive etj.
Programi i aktiviteteve “Mësojmë dhe Argëtohemi”, do të vijoi me të tjera xhami gjatë periudhës së verës.