Ditën e hënë, më 9 dhulhixhe 1442 (19 korrik 2021), bota islame përkujton Ditën e Madhërishme të Arefatit, më e mira ditë adhurimi e vitit! Ajo na kujton tubimin e mrekullueshëm të haxhilerëve në fushën e Arefatit, begatitë dhe mirësitë e së cilës janë të pallogaritshme!
Pejgamberi (a.s) na ka mësuar se: “Lutja më e mirë është lutja e Ditës së Arefatit dhe, fjalët më të mira që kam thënë unë dhe të dërguarit para meje, janë: La ilahe il-lall-llahu vahdehu la sherike lehu. Lehul-mulku ve lehul-hamdu ve huve ala kul-li shej’in kadír!”, siç transmetohet në Sahihun e Imam Tirmidhiut.
Është e pëlqyer që muslimani ta agjërojë Ditën e Arefatit, sepse i Dërguari (a.s) ka thënë: “Për agjërimin e Ditës së Arefatit, shpresoj që Allahu do të shlyejë gjynahet e vitit para dhe atij që vjen!”, siç transmetohet nga Imam Muslimi.
Për ata që kanë mundësi të agjërojnë këtë ditë të bekuar, oraret për qytetin e Shkodrës janë, si më poshtë:
Syfyri: 3.20.
Iftari: 20.19.
Ditën e hënë, më 9 dhulhixhe 1442 (19 korrik 2021), pas namazit të iqindisë, në xhaminë e Parrucës, do të zhvillohet një mexhlis i lutjes dhe hatmes sherife. (Ezani i iqindisë: 16.50).
Ditën e martë, më 10 dhulhixhe 1442 (20 korrik 2021), është dita e parë e Kurban Bajramit. Për shkak të luhatjeve të motit, namazi i Kurban Bajramit do të falet në të gjitha xhamitë e qytetit e fshatit, sipas orareve zyrtare:
Ezani i sabahut: 4.15.
Falja e sabahut me xhemat në xhami: 4.45.
Lexime kuranore, ilahi e këshilla fetare, deri në orën: 6.15.
Namazi i Kurban Bajramit falet në orën: 6.20.
Tekbiret e teshrikut janë vaxhib dhe këndohen pas çdo namazi farz, vetëm, a me xhemat, në këtë periudhë: pas namazit të sabahut të ditës së Arefatit, deri për namaz të iqindisë së ditës së katërt të Kurban Bajramit. (Këtë vit, nga sabahu i datës 19 korrik 2021, deri për iqindi të datës 23 korrik 2021).
Tekbiret e teshrikut janë: “All-llahu ekber, All-llahu ekber, All-llahu ekber! La ilahe il-lall-llah huvall-llahu ekber! All-llahu ekber ve lil-lahil-hamd!”, thuhen menjëherë pas kryerjes së namazit farz, pa e prishur me fjalë, biseda, ngritje a dalje nga xhamia.
Kurbani. Quhet kështu, sepse ai është afrim me Allahun e Madhëruar, për të Cilin bëhet dhe vetëm Atij i drejtohet!
Koha e kryerjes së kurbanit nis nga momenti pas përfundimit të namazit të Kurban Bajramit dhe përgjatë ditëve të teshrikut, pra përgjatë katër ditëve të këtij bajrami.
Kurbani është ripërtëritje e traditës së Hz. Ibrahimit (a.s), që iu dorëzua thirrjes së Zotit për të bërë kurban të birin, Hz. Ismailin (a.s), dorëzim që u shpërblye me këmbimin e djalit me një dash të madh.
E pyetën Resulullahun (a.s): Çfarë është kurbani? Tha: “Tradita e babait tuaj, Ibrahimit, paqja qoftë mbi të!” E pyetën: Çfarë shpërblimi kemi për të? Tha: “Për çdo qime, një e mirë!” I thanë: Po të leshtat? Tha: “Për çdo fije të leshtë, një e mirë!”, siç e transmeton Imam Hakimi.
Kurbani është traditë e Resulullahut (a.s), për të cilin mësojmë se: “Resulullahu (a.s) jetoi në Medine dhjetë vite dhe përherë bënte kurban”, siç e transmeton Imam Tirmidhiu, nga Ibni Omeri (r.a).
Hoxha i jonë, H. Vehbi S. Gavoçi, na mëson se: “Llojet e kurbanit janë tre: devetë, lopët dhe dhentë. Edhe cjapi është si dhentë, të gjinisë mashkullore qofshin, a femërore. Kështu bëhen tetë çifte, siç përmenden në Kuranin Famëlartë:
《Ai (krijoi) tetë lloje (nga kafshët shtëpiake): prej deleve dy (dash e dele), prej dhive dy (cjap e dhi). Thuaj: “A janë të ndaluar (haram) dy meshkuj apo dy femra apo çka mbanë (pjell) mitra e dy (llojeve të tyre) femrave?” Më tregoni, pra, me fakte të ditura (e jo me trillime) nëse jeni të sinqertë.
Ai (krijoi) edhe nga devet dy (lloje) dhe nga lopët dy (lloje). Thuaj: “A dy meshkuj i ka ndaluar (haram), a dy femra, ose çka mban mitra e dy (llojeve të tyre) femrave?” A mos ishit të pranishëm kur All-llahu ju porositi me këtë (hallall apo haram)?” E kush është më mizor se ai që trillon rrenë për All-llahun dhe ashtu t’i humbë njerëzit në mungesë të dijes. All-llahu nuk vë në rrugë të drejtë mizorët.》- (Kurani, El-Enam: 143-144).
Resulullahu (a.s) na udhëzon: “Lopa për shtatë vetë…”, siç e transmeton Imam Muslimi.
“E shpërndan 1/3 (një të tretën) e kurbanit, 1/3 (një të tretën) tjetër e mban për vete dhe 1/3 (një të tretën) e mbetur, si të dojë nëse dëshiron.”, siç shkruan Hoxha i jonë në librin e tij: “El-Kafi”, në medhhebin hanefi.
Pra, 1/3 për nevojtarë, 1/3 për vete dhe 1/3 për të afërm, farefis, komshi e ngjashëm, vallahu alem.
Është e pëlqyer vizita e të afërmve dhe e varrezave në ditën e bajramit.
Është e pëlqyer shfaqja e gëzimit dhe shpenzimi për familjarët, në ditën e bajramit.
Është mirë që personi t’i drejtohet vëllasë së tij besimtar, në ditën e bajramit: “Allahu na e pranoftë!”.
Me zemër të mirë e plot begati për ju Kurban Bajrami!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, 18 korrik 2021