Ditën e hënë, më 9 dhulhixhe 1442/19 korrik 2021, pas namazit të iqindisë, në xhaminë e Parrucës, Myftinia Shkodër me rastin e Ditës së Arefatit dhe në prag të festës së Kurban Bajramit, zhvilloi një mexhlis me lutje dhe Hatme Sherife.
Krahas shumë besimtarëve dhe imamëve të qytetit, merrte pjesë edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili fillimisht uroj këtë ditë të madhe që kujton ditën e Mahsherit.
Në ligjëratën e mbajtur me këtë rast, ai theksoi se mbarë bota islame përkujton Ditën e Madhërishme të Arefatit, më e mira ditë adhurimi e vitit.
Ajo na kujton tubimin e mrekullueshëm të haxhilerëve në fushën e Arefatit, begatitë dhe mirësitë e së cilës janë të pallogaritshme.
Më pas, Myftiu i shoqëruar me imamët këndoi Hatmen Sherife si dhe në lutjet dhe duatë e përbashkëta u lut për mbarë besimtarët dhe njerëzimin për ditë më të mira dhe të begata, të paqta dhe të lumtura, sidomos në ditët e Kurban Bajramit, në të cilat duhet të manifestohen më shumë se kurrë virtytet dhe vlerat më të vyera islame.
Kujtojmë se ditën e martë, më 20 korrik është dita e parë e Kurban Bajramit. Për shkak të luhatjeve të motit, namazi i Kurban Bajramit do të falet në të gjitha xhamitë e qytetit e fshatit, sipas orareve zyrtare:
Ezani i sabahut: 4.15.
Falja e sabahut me xhemat në xhami: 4.45.
Lexime kuranore, ilahi e këshilla fetare, deri në orën: 6.15.
Namazi i Kurban Bajramit falet në orën: 6.20.