Ditën e shtunë, më 2 tetor 2021, Shoqata “Istanbul” organizoi ceremoninë e dytë për diplomimit e hafizëve të Qendrës për Memorizimin e Kuranit Famëlartë në Shkodër.
Në një atmosferërë shpirtërore dhe plot gëzim, u organizua ceremonia e dytë për diplomimin e hafizëve të Qendrës për Memorizimin e Kuranit Famëlartë në Shkodër, cila administrohet nga shoqata “Istanbul në Shkodër me mbështetjen e fondacionit Hudayi në Stamboll.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili mbajti edhe një fjalë, nëpërmjet të cilës iu drejtua të pranishëmve me këto fjalë:
*** *** ***
I nderuar z. Kujtim Dervishi, Drejtor i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”,
I nderuar z. Ridvan Seferaj, Kryetar i Shoqatës “Istanbul”,
Të nderuar miq e të ftuar nga Republika e Turqisë,
Hafizë të dashur dhe jut ë shtrenjtë prindër të pranishëm,
Tubimi i kësaj dite ka një simbolikë të veçantë për faktin se po promovojmë përfundimin e ciklit të plotë të mësimit përmendsh të Kuranit Famëlartë nga 10 djem të rinj, nga 10 shembuj për t’u ndjekur e modele për t’u krenuar me ta, sot e deri sa të kemi frymë!
Patjetër që duhet të falënderojmë me të madhe mësuesit edukatorë, kujdestarët dhe mbështetësit e këtij projekti dituror e qytetërues, në krye të cilëve qëndron Hoxha i urtë Osman ef. Nuri Topbash; projekt që e begaton qytetin e Shkodrës me ripërtëritjen e një tradite të vjetër, që lidh bijtë e kësaj toke me dashninë dhe përkushtimin ndaj Fjalës së Allahut të Madhëruar dhe i bën ata dhe fëmijët tanë që i janë përgjigjur kësaj ftese të brendshme në kufijtë e të shenjtës, pjesë e dëshmisë së madhe hyjnore: “Ata që e lexojnë librin e Allahut, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata shpresojnë në një tregëti që kurrë nuk humbet”.
Në hadithin e transmetuar nga Ibn Abasi (r.a), një person e pyeti të Dërguarin e Allahut, se cila ishte vepra më e pëlqyer tek Allahu. Ai, ndër të tjera i tha: “… Ta nisësh leximin e Kuranit nga fillimi. Sa herë që ta përfundosh, ta nisësh sërish nga fillimi”, duke nxitur traditën e Hatmes Sherife (leximin e plotë të Kur’anit në mënyrë të vazhdueshme), mësimin dhe përvetësimin e Kuranit në jetën tonë.
Resulullahu (a.s) lajmëroi se: “Me të vërtetë Allahu ka të dashur e të përzgjedhur në mesin e njerëzve” Dhe kur e pyetën se kush janë ata, o i dërguar i Allahut? Ai tha: “Njerëzit e Kuranit, janë të dashurit e Allahut dhe njerëzit e Tij të afërt!”
Të dashur Hafizë, të shtrenjtë prindër!
Fjalën time do ta mbyll me një ngjarje të mrekullueshme që e kam shumë për zemrë dhe, sa herë i rikthehem, mbushem me shpresë e butësi, më kaplon mëshira dhe e ndjej veten të përkëdhelur para duarve të Zotit tim, që e lartësoi gradën e atyre që i përkushtohen Fjalës së Tij, sa asnjë gradë!
Një nga dijetarët më të shquar të Kuranit në mesin e shekullit të dytë hixhri, Hamza ibn Habib Ez-Zejati, për të cilin mësuesi i tij, djetari i shquar El-Amesh (61-148), kur e shihte të vinte, thoshte: “Ky është dijetari i Kuranit”, ka një rrëfim të mrekullueshm të një përjetimi personal, që na lidh me dashninë e Allahut ndaj ehli-Kuranit!
Rrëfen Kalef ibn Bezari, nga mësuesi i tij Sulejm ibn Isa, nxënës i Hamza Zejatit (v. 156 h.): Hyra një ditë tek Hamza ibn Habib Zejati dhe e gjeta duke qarë, ndërkohë që ishte ulur në tokë, për të cilën fërkonte fytyrën e tij. Thashë: “Allahu të ruajtë!”.
Tha: “Dhe pse po e thua këtë?!
Mbrëmë pashë në ëndërr sikur ishte bërë kijameti dhe u thirrën “kurraul-Kuran” (mësuesit dhe lexuesit e Kuranit) dhe unë isha në mesin e tyre. Dëgjova një zë të ëmbël që tha: “Mos të hyjnë tek Unë vetëm se ata që kanë punuar me Kuran”.
Unë u tërhoqa duke bërë hapa prapa. Ndërkohë, ai zë thirri emrin tim: “Ku është Hamza ibn Habib Ez-Zejati?” Unë thashë: Lebejke, o thirrës i Zotit!
Një melek ndërhyu dhe më tha: Thuaj: “Lebejkallahume!”, pra: “Si urdhëron o Zoti im”… Dhe unë thashë: Lebejke, ashtu siç më tha.
Pastaj më futi në një vend, ku dëgjohej gumëzhitja e leximit të Kuranit, ndërsa unë dridhesha i tëri. Dëgjova një zë që më tha: “Mos u shqetëso, ngjit shkallët dhe lexo!”
Solla kokën, kur pashë një minber me smeralde të bardha, me krahë prej gurësh të çmuar të verdhë dhe shkallët prej diamantësh ngjyrë jeshilë…
Më tha: “Ngjitu dhe lexo!” Unë u ngjita. Tha: “Lexo suren “El-Enam”, ndërkohë që nuk dija se kujt po i lexoja. Pasi lexova 60 ajetet e para dhe mbërrita te ajeti: “Ai është Mbizotëruesi mbi robët e Tij (61)” më tha: “O Hamza, a nuk Jam Unë Mbizotëruesi mbi krijesat e Mia?” I Thashë: Po, je! Tha: “E vërtetë. Vazhdo leximin” Dhe vazhdova derisa e plotësova këtë sure.
Më tha: “Lexo” Dhe unë nisa të lexoj suren “El-Araf”. Kur mbërrita në fund të saj desha të bie në sexhde. Ai më tha: “Mjafton e kaluara (pra, në ahiret nuk ka më obligime), mos bjer në sexhde, o Hamza”.
Pastaj më pyeti: “Kush ta ka mësuar ty këtë lexim?” I thashë: Sulejmani (dmth: El-Amesh). Tha: “E vërtetë. Po Sulejmanit, kush ia mësoi leximin?” Thashë: “Jahja” Tha: “E vërtetë. Po Jahja, te kush ka lexuar?” Thashë: Te Ebu Abdurrahman Es-Sulemi. Tha: “Të vërtetën ka thënë Ebu Abdurrahman Sulemiu. Po Ebu Abdurrahman Sulemiun, kush e mësoi?” Thashë: Djali i axhës i Profetit tënd, Aliu. Tha: “Të vërtetën tha Aliu. Po Aliun kush e mësoi?” Thashë: Profeti Yt, Muhamedi (a.s). Tha: “Po kush e mësoi Profetin Tim?” Thashë: Xhibrili (a.s). Tha: “Po Xhibrilin kush e mësoi?” Unë heshta.
Tha: “O Hamza, thuaj: Ti”. Thashë: Nuk mund ta them (nga turpi). Tha: “Thuaje o Hamza: Ti” Unë e thashë: Ti…
Tha: “Të vërtetën the, o Hamza. Pasha hakun e Kuranit, Unë do t’i nderoj “ehlul-Kuran”, (njerëzit e Kuranit, të angazhuarit me të) veçanërisht ata që punojnë me Kuran! O Hamza, Kurani është Fjala Ime dhe Unë nuk dua njeri si “ehlul-Kuran”!
Pastaj më tha: “Afrohu o Hamza” U afrova, më lyu me një erë të mirë dhe më tha: “Nuk po ta bëj vetëm ty këtë nderim, por ia kam bërë edhe shokëve të tu, më lart e më poshtë teje. Dhe kujtdo që do ua mësojë njerëzve Kuranin, sikurse ke bërë edhe ti, me sinqeritet vetëm për hatrin Tim! Ndërsa ajo që kam rezervuar për ty, o Hamza, është shumë më e madhe!
Thuaju edhe shokëve të tu për Dashninë Time ndaj “ehlul-Kuran” dhe shpërblimin Tim për ty. Ata janë të përzgjedhurit më të mirë! Pasha Krenarinë dhe Madhështinë Time, nuk do ta ndëshkoj me zjarr një gjuhë që e ka lexuar Kuranin! As zemrën që e ka kuptuar atë! As veshin që e ka dëgjuar, as syrin që e ka vështruar!”
Thashë: Subhaneke, subhaneke ja Rabbi! Tha: “O Hamza, ku janë ata që vështrojnë në Kuran gjatë leximit?” Thashë: Ja rabbi, hafizët? Tha: “Jo, atyre jua kam ruajtur shpërblimin për ditën e gjykimit, një shkallë për çdo ajet”.
Pastaj, Hamzai, iu drejtua nxënësit të tij Sulejmit: “Po tash, a po më kritikon se po qaj dhe po e fërkoj fytyrën për dhé?”.
Kështu, të dashurit e mi, lutja ime është që të keni përherë mbarësi e bekim, Kurani Famëlartë të jetë pjesë e pandarë e jetësë së gjithësecilit prej nesh; me të edukojmë fëmijët dhe rininë tonë, atij t’i përkushtohemi pa rezervë, duke shpresuar të kemi hise në dëshminë e Resulullahut (a.s) që na tregon se Zoti i gjithësisë ka thënë: “Atë që e angazhon Kurani nga lutja Ima, do t’i jap më mirë sesa i jap atyre që luten…”
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, 2 tetor 2021