Pasditen e së shtunës, më 9 tetor 2021, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë në konferencën e organizuar nga Medreseja e Durrësit, me studente të përzgjedhura ndër vite, që kanë ardhur për vizitë në Shkodër.
Pas fjalës së drejtorit të Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, Myftiu i Shkodrës ligjëroi mbi shembullin e Resulullahut (a.s) në edukimin e elitave, për të cilat ka nevojë çdo shoqëri.
Myftiu tha se vajzat e reja muslimane nuk duhet të ndjehen të kompleksuara në shoqëri për shkak të hixhabit, përkundrazi ato duhet të ndjekin rrugët e dijes në të gjitha fushat, duke e lexuar si duhet fenë dhe udhëzimin hyjnor që thërret drejt dëshmimit tonë si prijës të elitave, por a jemi ne sot, muslimanë të këtij niveli kuranor?
I ftuar special në këtë konferencë ishte edhe Dr. Salahudin Keftaro, që po qëndron prej disa ditësh në Shkodër, me ftesë të Myftiut Sytari.
Në fjalën e tij, Dr. Keftaro tha se në Islam janë zgjidhur dilemat dhe janë saktësuar të drejtat dhe përgjegjësitë, sikurse ka dëshmuar vlerësimin e gruas në të gjitha etapat e jetës së saj.
Zotëria e tij solli disa shembuj të mrekullueshëm nga udhëtimet dhe përvojat e tij gjatë udhëtimeve në shtete e vende të ndryshme, sikurse u lut për më të mirën për vajzat tona.
Konferenca vijoi me pyetje-përgjigje me dobi për të pranishmit.