
Myftiu zhvilloi një takim pune me Kryetarin e Bashkisë Shkodër
Paraditën e së mërkurës, më 30 korrik 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bashkinë e Shkodrës, ku u prit nga Kryetari i saj, z. Benet Beci.
Gjatë takimit u diskutua për çështje me interes të përbashkët, si dhe për shqetësime të ndryshme që Myftinia Shkodër ka, sidomos me lirimin e ambienteve të ndryshme të vakëfit, në qytet e fshat.
U soll në vëmendje edhe shqetësimi i tregtarëve të Tregut Zdralej, rreth të cilit bashkëbiseduesit ishin të një mendimi që prona duhet respektuar dhe se, është e drejtë e të zotit ta shfrytëzojë e zhvillojë atë sipas interesave të tij.
Myftiu e informoi Kryetarin e Bashkisë për qëndrimin e tij zyrtar në lidhje me këtë çështje, qëndrim i bërë publik gjatë hytbes së xhumasë, më 11 korrik 2025, në xhaminë e Parrucës.
Nga ana e tij, Myftiu i Shkodrës, ofroi disa alternativa, që Bashkia mund të shfrytëzojë për të gjetur një zgjidhje për qytetarët e prekur nga prishja e Tregut Zdralej, me qëllim që kjo lëvizje e vonuar, por që vjen në kohën e vet, të jetë me sa më pak dëme për qytetarët e prekur.
U diskutua edhe për tema të tjera me interes të përbashkët, si dhe u dakordësua për vazhdimin e bashkëpunimit në interes të qytetit dhe qytetarëve, si dhe ruajtjes së tabanit, frymës së harmonisë dhe respektit të ndërsjellët në mesin e institucioneve dhe përgjegjësive që ato kanë.
Linku i hytbes së plotë dhe qëndrimit zyrtar të Myftiut dhe Myftinisë Shkodër në lidhje me çështjen e vakëfit në Zdralej.