Paraditën e së mërkurës, më 10 nëntor 2021, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim të përzemërt me maturantet e Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, edhe në kuadër të programit të këshillimit të karrierës.
Gjatë këtij takimi, Imam Sytari u fokusua në katër parime bazë për ndërtimin e një personaliteti shembullor të rinisë islame, duke u bazuar në udhëzimet e Kuranit dhe fjalët e urta të Resulullahut (a.s).
Myftiu ftoi medresistet që të shkojnë përherë pas modeleve elitare në jetë, duke ndjekur rrugën e grave të mëdha e të shquara të historisë së njerëzimit, prej të cilave merret frymëzimi më i mirë për të ardhmen.
Ai tha se synimi i lartësive dhe dëbimi i kompleksit të inferioritetit për shkak të përhapjes së frymërave dekadente të islamofobisë, janë dy rrugë që na shpien drejt kapjes fort pas tabanit tonë islam dhe qëndrimit të lidhur pas zinxhirit tradicional e kombëtar të vlerave tona shekullore!
Për fund, dha një mesazh të rëndësishëm që lidhet me arritjen e përsosmërisë në çdo fushë që vajzat tona do të vijojnë nesër në vazhdimin e arsimimit dhe ndjekjen e universiteteve më të mira, kudo nëpër botë!
Aktiviteti u përshëndet edhe nga drejtori i Medresesë, Kujtim Dervishi dhe koordinatorja e degës së vajzave, Elona Sytari, sikurse u shoqërua edhe me pyetje të ndryshme nga maturantet.