Ndërroi jetë studiuesi Smajl Bala!

Ndërroi jetë studiuesi Smajl Bala!

Myftinia Shkodër i shpreh ngushëllime të përzemërta familjes, miqve dhe kolegëve të tij!


Homazh për një burrë me letra shumë..!

Për herë të parë, zotni Smajlin e kam takuar para më shumë se një dekade. Atë ditë (e kujtoj mirë, ishte e xhuma), po kthehesha nga xhamia e Tophanës, pasi kisha përfunduar hytben dhe namazin e xhumasë.

Afër hyrjes së shtëpisë, ku banoja, një burrë i panjohur, me flokë të bardha e me një tufë letrash në dorë, më drejtohet me selam e përshëndetje…

Nga ajo ditë, kaluan vite e vite, përgjatë të cilave u takuam me dhjetra herë, në biseda, takime, promovime e diskutime që lidhen me librat, studimet, kulturën, botën e letrave dhe gjurmët e arkivave, ku zotni Smajli spikaste për durimin dhe këmbënguljen e tij të çuditshme!

Libri i tij për hoxhallarët dhe institucionet islame të Shkodrës, për të cilin kam shkruar dhe i kam dhënë mendimet e mia me shumë kujdes, u pasua nga botime të tjera, që përtej detajeve të përmbajtjes, i bënë nder shumë institucioneve në Shkodër, për arkivat dhe historikun e të cilëve u përkujdes me shumë fanatizëm autori Smajl Bala, edhe pse, në të shumtën e rasteve nuk i përkiste atyre fushave dhe institucioneve; botëkuptimit, formimit dhe vizionit, porse dëshira e tij për të mos ngelur pasiv na bëri dëshmitarë të botimeve të njëpasnjëshme që mbajnë firmën e tij.

I fundit i kësaj kolane (nëse vlen ta quaj kështu për natyrën e punimeve të tij), ishte libri për medresenë e Shkodrës në 30 vjetorin e saj, për të cilin nisa të shkruaj kritikat e mia, mendimet dhe vështrimet, por sëmundja e tij e ditëve të fundit dhe angazhimet e mia, më penguan dhe u bënë mur ndarës në mes meje dhe shënimeve rreth atij botimi, që gjithësesi mbetet edhe një ftesë morale për vetë medresenë, drejtuesit e saj dhe krejt ne në hak të borxhit të madh përkarshi historikut real të këtij institucioni, peshës, gjurmëve dhe misionit, zhveshur nga konjukturat dhe vështrimet e ngushta mbytëse!

Herën e fundit që u pamë, ai sërish mbante në dorë një tufë letra, porse kësaj radhe të lidhura e të sistemuara në një libër, të fundit botim që pa në këtë botë e me kujtimin e të cilit u nda nga kjo jetë, duke marrë me vete bagazhin e nijeteve, veprave dhe kontributeve të tij, për të cilat lutem me zemër që t’i gjejë dritë e bekim në të përtejmen!

Ashtu, i hajthëm e këmbëngulës, me çantën plot shënime e letra, plot copëza arkivash e emra të përveçëm bashkë me foto e kujtime, dhe mbi të gjitha, dëshirën e pashembullt për të punuar, zotni Smajl Bala u largua nga kjo jetë duke lënë pas emrin, që do i lexohet e kujtohet, saherë që të do shfletohen librat e botimet e tij, por jo vetëm..!

Rahmet pastë!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 7 nëntor 2021