Në kujtim të hoxhës H. Vehbi S. Gavoçi, dijetarit më famë botërore

Më 21 shkurt 2022, Myftinia Shkodër në bashkëpunim me Medresenë e Shkodrës organizoi një aktivitet përkujtimor, për hoxhën H. Vehbi S. Gavoçi.

Krahas maturantëve, mësuesve të shkollës merrnin pjesë Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, drejtori i medresesë, z. Kujtim Dervishi, koordinatori i shoqatës “Istanbul”, pranë kësaj shkolle, z. Fehmi Dushku, imamë, etj.

Fillimisht, teologu Arben Halluni gjatë fjalës së hapjes bëri një prezantim të shkurtër të jetës dhe veprës të hoxhës së nderuar.

“H. Vehbi Gavoçi, ka lindur më 17 maj 1923 në lagjen Garuc të Shkodrës. Në qershor të vitit 1937, ai së bashku me babën e tij, Sulejman Gavoçin, si dhe me gjithë familjen mërguan në Damask të Sirisë.

Në moshën trembëdhjetë vjeçare, shkon në Kajro të Egjiptit, që të kryente shkollën dhe studimet në Universitetin e Al-Az’herit, shkolla më me famë e botës islame në atë kohë. Pas dhjetë viteve qëndrimi në Egjipt, ku kreu fakultetin e Sheriatit dhe dy vite për drejtësi, në vitin 1947, H. Vehbia u kthye në Siri, ndërsa në vitin 1949 fillon punën si mësues në shkollat e vajzave të qytetit të Halepit deri në vitin 1951.

Më pas, shkon në Damask, ku punon deri në vitin 1965 si mësues në shkolla të ndryshme, si pedagog i institutit që përgatiste mësues si dhe në Universitetin e Damaskut.

Pas vdekjes së babait në vitin 1958, në Siri, H. Vehbiu e zëvendësoi duke dhënë ligjërata në xhaminë “Arnaut”, ndërtuar nga i ati. Për tre vjet në këtë xhami Vehbiu ishte imam dhe vaiz, pastaj ligjëron në xhamitë “Esh-Shemsije”, “Randa” etj.

Në vitin 1966 nga Siria shkon në vende të tjera arabe. Në këtë vit u emërua pedagog në Universitetin e Riadit, në Arabinë Saudite, më pas shkoi si profesor në Medinë për 5 vjet, deri në vitin 1971.

  1. Vehbiu kthehet përsëri në Siri, ku shërbeu si mësues deri në vitin 1980.

Më pas ai merr përsëri rrugën për në Arabinë Saudite, ku shërbeu si studiues në Universitetin Islamik të Medinës, pastaj nga Arabia Saudite shkoi në Jordani për tre vjet, ku dha kontributin e tij në punë studimore të ndryshme dhe në botime librash.

Në vitin 1986 u emërua pedagog në Fakultetin Fetar e Gjuhësor në Dubai, të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Vdiq më 19 shkurt 2013, në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ka botuar mbi 20 vepra origjinale në gjuhën arabe, si dhe 30 vepra në gjuhën shqipe

Më 10 mars 2012, nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës u shpall “Qytetar nderi.”.

Në vijim, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari në fjalën e tij tha se: “Sot është një ditë e veçantë dhe e begatë për të përkujtuar një prej dijetarëve dhe shkollarëve ma më za shqiptar të shekullit,  pa dyshim një nga emrat më të shquara të trojeve tona, në botën arabe dhe islame, H. Vehbi Gavoçi.(rahmet pastë)”.

Myftiu tregoi se: “Gjatë një interviste që kam zhvilluar me hafiz Sabri Koçin, e kam pyetur për hoxhën H. Vehbi Gavoçin, për kontributet e tija më është shprehur se: ‘Pa dyshim Haxhi Vehbi Gavoçi ka qenë shtylla kurrizore e aktiviteteve fetare të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, pas viteve 90’, sepse përmes këtyre disa librave dhe botimeve të tija që janë prezent në këtë ekspozitë, janë libra që njerëzit dhe ne kemi mësuar fenë. Hoxha rahmet pastë përveç një dijetar e shkollar i vëmendshëm, një prind prej të cilit jemi rritur nga prania e dijes dhe edukata që na ka dhanë, ka qenë shumë kurajoz për ta ruajtur tabanin fetar të Shkodrës, por edhe të Shqipërisë nga prekjet e jashtme, pikërisht ndaj atyre që synojnë tabanin, që synojnë thelbin, që synojnë mbrapshtimin e tryezës së besimit dhe adhurimit. Prandaj, shumë prej botimeve të hoxhës apo në shumë prej botimeve të tij do të gjesh kritika apo tërheqje vëmendjeje si dhe këshilla për të ruajtur tabanin dhe për të mos devijuar në sektarizma apo çfarë nuk duhet në raport me fenë…”.

Duke e përfunduar fjalën e tij, Myftiu i kërkoj të pranishmeve, kryesisht nxënësve të medresesë që të qëndrojnë në besën e të parëve, në shëmbëlltyrës së  tyre në dije, në shkollim, në bamirësi dhe në ruajtjen e tabanit shekullor islam, larg devijimeve dhe sekteve përçarëse.

Ndërsa, drejtori i medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, pasi falënderoi Myftininë e Shkodrës për bashkëpunimin dhe organizimin këtij aktiviteti me vlera dhe mesazhe në fjalimin e tij theksoi: “Për aq sa e kam njohur, por edhe takuar fizikisht mendoj se ai është më plotë kuptimin e fjalës  dhe të ndjenjës së sinqertë, ai ishte dijetari, mendimtari, veprimtari shoqëror, por edhe atdhetari. E them edhe atdhetari, sepse diku kam lexuar se gjyshi i tij Halil Hoxha, baba i tij,  Sulejman Hoxha në kohën e rrethimit të Shkodrës nga serbomalazezët, kanë luftuar, kanë dhanë kontribut të rëndësishëm krah për krah me Hasan Riza Pashën për të mbrojtur territorin dhe vendin e tyre. Pra, nuk janë rastësisht këto familje të mëdha dhe intelektualë e figura të shquara, pra nuk dalin rastësisht. Në mes të tjerave përmendet edhe bamirësia e hoxhës së madh, H. Vehbi Gavoçit, i cili edhe për këtë shkollë ka menduar dhe kontribuar në kohë të ndryshme për mbarëvajtjen e aktivitetit arsimor dhe jo vetëm në këtë vatër të dijes dhe edukatës islame…”.

Aktiviteti përkujtimor përfundoi me recitimin e disa fjalëve të ndritura të hoxhës, nga dy medresist, Enis Bajraktari dhe Kadir Braqi si dhe paraqitjen e një ekspozitë të disa librave dhe botimeve të dijetarit, Shejkh H. Vehbi Gavoçi.

Përgatiti: Arben Halluni