Takim vëllazëror i radhës midis Myftiut dhe Arqipeshkvit në Kishën e Rrmajit

Takim vëllazëror i radhës midis Myftiut dhe Arqipeshkvit në Kishën e Rrmajit

Takim vëllazëror i radhës midis Myftiut dhe Arqipeshkvit në Kishën e Rrmajit

Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore të rikthimit 35 vitë më parë të lirisë së besimit në vendin tonë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, zhvilloi ditën e martë, më 18 nëntor 2025 një vizitë miqësore në Kishën e Rrmajit, ku u prit ngrohtësisht nga Arqipeshkvi Shkodër-Pult, Mons. Giovanni Peragine dhe dom Mark Pashkja.

Vizita vjen gjithashtu si një kthim mirësie, pas takimit të pak ditëve më parë që Arqipeshkvi Peragine zhvilloi në Xhaminë e Plumbit, duke shënuar edhe një herë vlerat e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë që karakterizojnë qytetin e Shkodrës.

Gjatë takimit, të dy drejtuesit ndanë mesazhe të qarta për mediat, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të frymës së harmonisë ndërfetare, trashëgimisë së etërve të besimit, që e kanë mbajtur Shkodrën shembull të bashkëjetesës, vëllazërisë, bashkëpunimit dhe respektit, si shtylla të pashkëputshme të paqes sociale, si dhe domosdoshmërinë e vijimit të traditës së dialogut dhe mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve.

Mons. Peragine në prononcimin e tij mediatik përcolli mesazhin se liria e besimit është një vlerë e çmuar, që duhet mbrojtur e forcuar për brezat që vijnë.

“..Sot në këtë vend jemi akoma duke përjetuar 35 vjetorin e lirisë në këtë vend që njerëzit e asaj kohe kanë pasur një guxim dhe kurajo të veçantë. Dhe pikërisht akoma sot ne kemi nevojë për njerëz guximtarë që luftojnë për lirinë, për dinjitetin e njeriut, sikuse kemi nevojë përmes guximit të tyre të sjellim më shumë paqe, harmoni sociale dhe dinjitet njerëzor…”.

Ndërsa, Myftiu Sytari tha se Shkodra mbetet model i pjekurisë dhe harmonisë në gjithë trevat shqiptare dhe për këtë duhet të ecët në gjurmën e etërve që na kanë mëkuar më frymën e bashkëjetesës dhe mirëkuptimit ndërfetar.

“…Pa dyshim, se ky vend është për të menduar, për të reflektuar si dhe për të rikujtuar një nëntor të përbashkët të kshtenve dhe të myslimanëve që bashkarisht dhe me as një lloj dallimi, dorë për dorë dhe krah për krah shënuan ngjarjen më të rëndësishme të shekullit për ne. Besoj se ajo qe ka ndodhur në atë nëntor të para 35 viteve është pa asnjë dyshim ngjarja më e rëndësishme e shekullit, ku njerëzit përzgjodhën me u nda një herë e përgjithmonë nga dhuna, nga terrori komunist, nga dhunimi i lirive dhe të drejtave të njeriut…”.

Më pas, Myftiu, i shoqëruar nga teologu Arben Halluni, vizituan mjediset e brendshme të kishës, duke parë nga afër vendin ku është mbajtur mesha e parë nga dom Simon Jubani pas rënies së diktaturës kriminale komuniste, një moment historik që shënoi ringjalljen e lirisë së besimit në Shqipëri. Po ashtu, ata vizituan edhe varrezat të Rrmajit, duke u ndalur në disa prej monumenteve të vjetra që dëshmojnë trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të zonës.