Në kuadër të Natës së Madhe të Israsë dhe Miraxhit, ditën e dielë, më 27 shkurt 2022, në fshatin Barbullush, u zhvillua ceremonia e përurimit të Qendrës Kulturore, pranë xhamisë së kësaj zone.
Nderonin me praninë e tyre: drejtuesi për Ballkanin i fondacionit “Rahmeh International” në Kuvajt, z. Isa Dhewadi, drejtori i fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, drejtori i fondacionit “Mirënjohja”, z. Samed Shehu, etj.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Bujar Spahiu, me bashkëpunëtorë, Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, si dhe drejtues të shoqatave islame brenda dhe jashtë Shqipërisë, imamë, besimtarë, etj.
Fillimisht, përshëndeti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili gjatë fjalës së tij tha: “Falënderoj donatorët nga Kuvajti, pikërisht fondacionin ‘Rahmeh International’, i cili afroi këtë projekt bamirës arsimor dhe kulturor për fëmijët e kësaj zone dhe jo vetëm, për të mësuar përmes kurseve fetare Kuranin, edukatën islame si dhe për të marrë mësimet dhe bekimet e shtëpisë së Zotit, për t’i përhapur më pas në realitetet e vendit tonë.
Në fakt, me këtë qendër po i bëjmë një shërbim të madh dhe të vyer Thirrjes Islame, po i bëjmë një shërbim të madh xhamisë tonë, duke uruar dhe shpresuar që si institucione fetare të bëjmë përpjekjen e duhur që xhamitë e mëdha në zona të ndryshme të Shkodrës të kenë qendra të tilla kulturore dhe edukative”.
Më pas, mbajti një fjalë përshëndetëse kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili pasi falënderoi donatorët, shtetin dhe popullin e Kuvajtit për këtë dhuratë të bukur për zonën e Barbullushit, tha se KMSh-ja, do të ketë gjithmonë në vemendje ndërtimin e xhamive dhe qendrave islame për të edukuar brezat me frymën e vërtetë islame, sipas traditës sonë dhe parimeve të harmonisë dhe paqes në mes njerëzve.
Përshendetjet u mbyllën me urimet e drejtuesit për Ballkanin të fondacionit “Rahmeh International” z. Isa Dhewadi dhe drejtorit të shoqatës “Mirësia”, z. Korab Kaja, të cilët falënderuan institucionet islame, KMSh-në dhe Myftininë Shkodër, për bashkëpunimin dhe mundësinë për të ofruar këtë bamirësi dhe qendër islame kulturore dhe edukuese për fëmijët dhe të rinjtë e kësaj zone me tradita fetare dhe kombëtare, por që do të shërbejë përveç zhvillimit të kurseve/mejtepeve fetare edhe për kurse sociale, profesionale, etj.
Momenti më i interesant i kësaj ceremonie ishte prerja e shiritit nga titullarët e institucioneve fetare, duke u shoqëruar me këndimin e ilahive dhe salavateve nga nxënësit e mejtepeve fetare të Barbullushit.
Autoritetet dhe të gjithë të pranishmit vizituan nga afër ambientet e brendshme dhe klasat e kësaj qendre të bukur me të gjitha kushtet bashkëkohore.