Vizitë vëllazërore e miqve të shtrenjtë nga Kuvajti

Paraditën e së shtunës, më 19 mars 2022, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në qendrën kulturore të xhamisë së Kirasit, të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Kuvajtit në vendin tonë, z. Halid Esh-Shami, si dhe drejtorin për Ballkanin e “Komisionit për Evropën dhe dy Amerikat”, në Kuvajt, mikun e vjetër, z. Mahmud En-Nexhdi, që shoqërohej edhe nga i nderuari H. Samed Shehu, drejtor i Fondacionit “Mirënjohja” në Tiranë.

Të ndruarit, së bashku me Myftiun, iu drejtuan familjeve të jetimëve dhe fëmijëve, për të cilët kujdesen shoqatat në bashkëpunim me Myftininë Shkodër, me urime dhe këshilla në prag të Muajit Ramazan.

Myftiu, z. Nexhdi dhe ambasadori Shami, dhanë mesazhe me vlerë, në nxitje të ruajtjes së moralit të fesë, edukatës, ecjes përpara në shkollim dhe në kërkim të dijes dhe dëshmimit si qytetarë shembull në shoqërinë shqiptare dhe kudo.

Myftiu falënderoi kontributin e çmuar të donatorëve kuvajtianë dhe theksoi se është një mirësi e madhe hapësira e gjerë e bashkëpunimit me vëllezërit e mirë nga Kuvajti të cilët përherë janë dëshmuar si përhapës të frymës së humanizmit të sinqertë e pa interes, kudo dhe me këdo në botë!

Myftiu vlerësoi kontributin e H. Samed Shehu, të nderuarit z. Mahmud En-Nexhdi dhe ambasadorit Esh-Shami në drejtim të afrimit të donatorit për qendrën islame në Kiras, aktivitetet e vazhdueshme kulturore dhe mbështetjen e jetimëve në veçanti.