Ditën e shtunë, më 12 mars 2022, Myftinia Shkodër organizoi seminarin e 10-të trajnues me pjesëmarrjen e një grupi imamësh të xhamive të qytetit dhe fshatrave.
Merrnin pjesë Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, si dhe i ftuari special, si ligjëruea, Kryeimami i Bashkësisë Islame të Ulqinit, Ali ef. Bardhi.
Tema e këtij seminari ishte: “Rëndësia e studimit të trashëgimisë popullore në kulturën islame”, të mbajtur nga Mr. Ali Bardhi, i cili pasi falënderoi Myftininë e Shkodrës për ftesën dhe dhënien e kësaj mundësie për të ligjëruar rreth kësaj tematike mjaft intersante tha se: “Kurani Famëlartë dhe praktika profetike është burimi dhe frymëzimi për të hulumtuar dhe studiuar edhe për trashëgiminë shekullore, për të kaluarën e popujve të hershëm në aspekt të besimit, adhurimit, moralit, etj, si dhe për kulturën islame në përgjithësi.”
Kryeimami i Ulqinit u fokusua tek puna e tij disavjeçare për evidentimin, regjistrimin dhe studimin e varrezave muslimane dhe shqiptare në zonat shqiptare në Mal të Zi.
Vlen të theksohet se falë këtij përkushtimi të pashembullt, sot janë botuar tre vëllime të rëndësishme, ku është regjistruar historia dhe gjurma e shqiptarëve muslimanë ndër shekuj në këto zona.
Më pas, Myftiu i Shkodrës, në fjalën e tij falënderoi Mr. Ali Bardhi për pjesëmarrjen si dhe për shpjegimin me vlerë të tematikës së këtij seminari.
Imam Sytari në kuadër të kësaj temë theksoi: “Është shumë e rëndësishme mbledhja e folklorit dhe trashëgimisë sonë islame në zonat shqiptare. Ne kemi një pasuri shumë të madhe, e cila duhet të jetë pjesë e libratekave tona. Ju ftoj të ktheheni tek ‘Fjalori i Orientalizmave’, i Tahir beg Dizdarit, ku në të do të gjejmë trashëgiminë tonë në të folurin e përditshëm.
Është shumë i rëndësishëm evidentimi i gjurmëve tona, të cilat duhen ruajtur dhe përhapur në masë si pjesë e trashëgimisë dhe identitetit tonë kombëtar.
Gjykoj se është obligim për bashkësitë tona islame që të vlerësojnë këtë trashëgimi dhe të punohet edhe më shumë në drejtim të regjistrimit të këtyre dëshmive dhe gjurmëve shekullore, që për ne janë trashëgimia dhe historia islame në trojet tona shqiptare”.
Në fund, të këtij seminari pati pyetje dhe ndërhyrje nga imamët e pranishëm.