Allah, sa më paska marrë malli për të thënë: Erdhi Ramazani!

Erdhi Muaji Ramazan, çdo gjë gëzon, drita është simbol i tij, kandili ndriçon e fytyrat qeshen!

Ky është muaji i familjes; bashkë e presim, bashkë falemi, bashkë lutemi, bashkë ulemi në sofrën e syfyrit, bashkë bëjmë dhikër, bashkë argëtohemi me pak hurma e ujë para duarve, bashkë lexojmë Kuran e, sërish bashkë ulemi në sofrën e iftarit për të pritur “topin e gjyshit”, ezanin e akshamit dhe..: “Allahu jua baftë kabull!”, kthehet në fjalinë më të dashur të munguar prej shumë e shumë… Elhamdulilah, erdhi!

Ky është muaj i ndezjes së kandilave të bamirësisë e bujarisë, përkushtimit e fetarizmit të dëshmuar në fshehtësi, si nijeti i agjërimit dhe ndjesitë e tij, por edhe haptaz, si buzëqeshjet, fjalët e ëmbla, hapat drejt xhamisë, puna me sakrificë e ndershmëri dhe lutjet me xhemat në ditët e tij…

Ky është muaj i shpresës, i mëshirës dhe faljes, i adhurimit dhe pendimit, i kthimit nga namazi dhe leximi, i veshjes së hixhabit dhe heqjes dotë nga shumë prapësi, me të njëjtin nijet, si ai i agjërimit të ditës së parë, edhe asaj që pason.., edhe të mrames ditë të Ramazanit.., deri në frymën e dorëzimit të amanetit tek Zoti i tij…

Ky është muaj i llogarive me veten. “A nuk është koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat e Allahut dhe me atë të vërtetën që zbriti (me Kuran)..?”…

Vërtetë, a nuk është koha për një pushim? Boll me stërmundime e lodhje pas kësaj bote! Boll i vetëm, pa mbështetjen e përmendjes së Zotit e pa dritën e Tij! Boll me drita artificiale e udhërrëfyes të kopjuar keq, si ciceron i fjetur në këtë udhëtim të jetës së papërcaktuar!

Boll me hutim! Unë e kam akoma një mundësi! Zoti im nuk më ka braktisur! Zoti im po më pret..! Ky Muaj, është pikërisht mundësia më e mirë! Ky Muaj, le të jetë fillimi..!

Është Ramazan, është ripërtëritje e gjallërim! Është rimëkëmbje e kthim në origjinë! Është bekim e thirrje që gëzon qiej e tokë, që zbukuron me pastërti sipërfaqen e tokës, larë me ujë sihariqesh nga lartësi të pamatura…

Erdhi Ramazani, o njerëz!

Allah, sa më paska marrë malli për të thënë: Erdhi Ramazani!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 2 prill 2022