Iftari i Familjes mbyll iftaret e vëllazërisë islame

Të shtunën, më 30 prill 2022, në lulishten pranë xhamisë “Ebu Bekër”, Fushë Çelë, Myftinia Shkodër organizoi iftarin e madh të familjes përmbyllës me moton “Ramazani, muaji i familjes”, ku morën pjesë rreth 500 vetë.

Pas këndimit të ezanit të akshamit, nga teologu Alban Kali, u bë çelja e iftarit përmes një dua-mesazhi nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili gjatë përshëndetjes tha: “Pa dyshim ky iftar është një përjetim i mrekullueshëm, një mbyllje e denjë për Ma të Mirin e muajve, në zemër të Shkodrës!

Mirënjohje dhe falënderim për krejt pjesëmarrësit, në këtë risi ’Iftari i Familjes’, ku fytyrat e qeshura të fëmijëve, razilleku i prindërve dhe përkushtimi i një Muaji të begatë, na dhurojnë emocione të papërshkrueshme”.

Më pas të gjithë të pranishmit shijuan iftarin e vëllazërisë dhe harmonisë familjare, duke i dhënë një  përmbyllje madhështore atmosferës së begatë të Ramazanit.

“Iftari  i Familjes” përfundoi me faljen e namazit të akshamit me xhemat.