Në Shkodër, festohet me madhështi Kurban Bajrami

Ditën e shtunë, më 9 korrik 2022, në sheshin bri xhamisë së madhe, “Ebu Bekër”, u zhvillua ceremonia e faljes së Kurban Bajramit, më një pjesëmarrje madhështore të mijëra besimtarëve të qytetit të Shkodrës.

Pas faljes së namazit të sabahut, imamët dhe teologët, Durim Kasemi, Lavdrim Hamja dhe Arben Halluni mbajtën kumtesa si dhe dhanë mesazhe mjaft të rëndësishme për festën e Bajramit, ngjarjet që lidhen me këtë ditë të madhe të besimit dhe adhurimit si dhe për simbolikën e Kurban Bajramit, që manifeston sakrificën, heroizmin dhe bindjen ndaj Zotit Fuqiplotë.

Më pas u bë falja e namazit të Kurban Bajramit si dhe mbajtja e hytbes nga teologu Idmir Plaku, i cili krahas mesazheve të vyera bëri thirrje për unitet, paqe dhe harmoni në mes të gjithë njerëzve dhe krijesave të Zotit në tokë.

Ky manifest i madh islam u mbyll me urime dhe përgëzimi të festës së Kurban Bajramit në mesin e besimtarëve.