“Agjërimi, rruga e njerëzve të devotshëm”, këshilla dhe mesazhe nga H. Gentjan Mara
Në vazhdën e aktiviteteve të larmishme, që Myftinia Shkodër po zhvillon në atmosferën e begatë të Tre Muajve të Mirë, ditën e shtunë, më 7 shkurt 2026, në xhaminë e Parrucës, u zhvillua tribuna fetare me të ftuar nderi, ligjëruesin e nderuar nga Tirana, H. Gentjan Mara.
Pas hapjes së programit nga teologu Arben Halluni, një fjalë përshëndetëse mbajti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili përshëndeti të pranishmit dhe uroi mirëseardhjen mysafirit nga Tirana, hoxhë Gentjan Mara, hatib i xhamisë Xhura, duke vlerësuar kontributin e tij në shërbim të fesë dhe komunitetit.
Më pas, fjalën e mori imami i nderuar, H. Gentjan Mara, i cili u ndal gjerësisht në vlerat dhe rëndësinë e muajit të shenjtë të Ramazanit. Në ligjëratën e tij, ai trajtoi aspekte të ndryshme të këtij muaji të bekuar, si dimensionin shpirtëror, shoqëror, moral, familjar dhe praktik, duke sjellë shembuj konkretë nga jeta e Pejgamberit Muhammed (a.s), sahabëve dhe brezave të parë të mirë.
Ajo që u vlerësua nga pjesëmarrësit, ishte larmia e shembujve nga trashëgimia islame ndër shekuj, si dhe nga përvojat personale të hoxhës së nderuar, që tërhoqën vëmendjen e besimtarëve pjesëmarrës në këtë aktivitet me vlerë.
Tribuna u ndoq me interes nga besimtarët e pranishëm, të cilët e vlerësuan këtë aktivitet si një mundësi e çmuar për reflektim, këshillë e vyer dhe forcim i lidhjes me vlerat islame në prag të Ramazanit.








