Myftiu: “Një musliman nuk bëhet palë me shejtanin për të zhvatur vakëfet!”

Nëpërmjet hytbes së xhumasë, më 11 nëntor 2022, nga minberi i xhamisë së Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, rihapi sërish temën e nxehtë të vakëfeve të Shkodrës.

“Në duart e mia kam ca lista, ku kemi numrin e vakëfeve të sotme të Shkodrës. Vakëfet e kthyera. Pa përmendur betejat e përditshme që kemi me institucionet tona, këtu në Shkodër e atje në Tiranë, ku përveç përpjekjes tonë të vazhdueshme, duhet të përballemi edhe me zigzaget dhe hipokrizinë e dikujt që të qesh në fytyrë e të ngul thikën pas shpine!”, – tha Myftiu.

Pastaj vazhdoi: “Një person që i thotë vetes musliman, kurrësesi nuk mundet të tolerojë e të pranojë të bëhet palë me shejtanin e mallkuar për të zhvatur vakëfet e muslimanëve. Sepse është ngulitur në vetëdijen e disa të pashpresëve ajo çfarë terrorizmi komunist i mësoi njerëzve: ‘është mall vakuf!’… ‘Është mall vakuf’, tek të pafetë!”, – vijoi hytben e tij Imam Sytari.

Poashtu i bëri thirrje institucioneve: “Thirrja ime për të gjithë drejtuesit e institucioneve, nga i pari i qeverisë, tek i pari i bashkisë dhe çfarë ka mes tyre; ta kenë frikë Zotin në hakun e vakëfeve të muslimanëve!..”

* Hytben e plotë e gjeni në linkun bashkëngjitur.