Program festiv dhe iftari i familjes – Ramazan 1444/2023

Program festiv dhe iftari i familjes

Të dielën, më 16 prill 2023, në ambientet e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”, Myftinia Shkodër organizoi një program fetaro-artistik si dhe iftarin e madh të familjes me një pjesëmarrje të madhe të besimtarëve dhe qytetarëve shkodranë.

Pas hapjes së këtij aktiviteti nga teologu Arben Halluni, grupi artistik i nxënësve të xhamisë Bardhaj, me praninë edhe të disa nxënësve të xhamive Barbullush dhe Oblikë, paraqitën një program të pasur fetaro-artistik, duke përformuar në mënyrë të mrekullueshme ajete kur’anore, thënie profetike, ilahi, poezi,  recitime, etj.

Pas këndimit të ezanit të akshamit nga hafizët turq, të ardhur enkas nga Diyaneti i Turkisë për të shërbyer në xhamitë e qytetit,  u bë çelja e iftarit përmes përshëndetjeve të rastit nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili gjatë përshëndetjes, ndër të tjera tha: “Pa dyshim, është një mirësi shumë e madhe që jemi në këtë iftar të begatë, iftari i madh i familjes, nëpërmjet të cilit ne përcjellim mesazhin më të madh dhe më të rëndësishëm, për të cilin kemi nevojë sot dhe mot, për t’i kujtuar njëri-tjetrit, shoqërisë sonë dhe mbarë njerëzimit se ky është themeli dhe bërthama e asaj me të cilën Zoti i Gjithësisë na solli në këtë botë dhe na udhëzoi drejt saj!”.

Në vijim, përshëndetën edhe mysafirët e nderuar nga trevat shqiptare, respektivisht kryetari i Bashkësisë Islame të Prizrenit, H. Besim Berisha dhe kryetari i Bashkësisë Islame të Ulqinit, z. Hysni Begu.

Më pas, të gjithë të pranishmit shijuan iftarin e vëllazërisë islame, duke vijuar ndërkohë edhe ndjekjen e programit nga grupi artistik i fëmijëve dhe fotomontazhin e aktiviteteve të ndryshme të Myftinisë Shkodër gjatë vitit.