Është Ramazan, është ndryshe, është Natë Kadri!
Nuk ka si mexhliset e Ramazanit! Na bashkon një frymë, që na lartëson në pozitat e rimëkëmbjes, duke parë veten në pasqyrat e historisë, trashëgimisë dhe krenarisë legjitime!
Mbrëmë, xhamia e fshatit Bardhaj ishte e mbushur me dritë e gëzim. Pas iftarit të madh, që imami me këshillin e xhamisë kishin organizuar, ku të gjithë ishin angazhuar nga pak, për ta kthyer atë mbrëmje në një natë, si ato të gëzimeve të mëdha familjare, tash ishte koha e namazit të jacisë, teravisë dhe lutjeve të Natës së Kadrit.
Është e fortë si ndjesi, ajo që përshfaqet në horizontet e kësaj vizite, që përtej urës së fshatit, shfaq hiret e veta me minaren e bardhë, të zbukuruar me dritë e zâ, që përhap gjithandej lutje e bekime kur’anore, si mantel paqeje e mëshirë mbi krejt fshatin… Pastaj afrohesh dhe, pamja e parë që të zënë sytë janë të rinjtë dhe fëmijët, që i paraprijnë gjyshërve dhe baballarëve për të ardhur në xhami…
Në fakt, në momentin që fëmijët dhe rinia paraprijnë drejt xhamisë, është shenjë zgjimi, është dëshmi rimëkëmbjeje, është prekje e hollë e ripërtëritjes së amanetit të atyre që kaluan dhe brezave që shkuan, prej atyre që e përqafuan me zemër e shpirt këtë fé të pastër islame dhe udhëzimin e Zotit në jetë!
Fytyra të qeshura. Zëra fëmijësh në gëzim. Të rinj që kanë bisedat e moshës. Pak më tutje, Haxhi Ahmeti, plaku i mirë, që përveç zemrës së madhe që ka, di të të falë lutje e bekime, si dëshmi e shpirtit të madh të krejt kësaj zone besimtare! Aty-këtu, dëgjohen zërat e nënave dhe vajzave të xhamisë, pastërtoret që kujdesen për Shtëpinë e Allahut, që të shndrisi e të vezullojë nga pastërtia dhe rendi. Hyn me bismilah dhe e shijon çdo selam me krejt të pranishmit buzagaz!
Është Ramazan. Është Natë Kadri. Është mundësi e re, natë e re, me të cilën nis një ditë e re, rrethuar me bekime e mëshirë, selame melekësh, që turma-turma zbresin nga lartësitë qiellore për të takuar besimtarët, që horizonteve vërshojnë për të mbushur shpirtin në shtëpitë e Zotit, ku ka vend për të gjithë…
Një fije e hollë e ndan euforinë, shfaqjet emocionale dhe përshkrimet poetikisht korrekte, nga vullneti real për të ndërruar stilin e të menduarit, atë të lexuarit, të vepruarit dhe të sjellurit sipas frymës së vërtetë të këtij Muaji!
Është Ramazan. Është ndryshe. Realisht, është ndryshe! Me lutje e përgjërime, namaze e adhurime, ilahi e kujtime, këshilla e këmbim bisedash të denja për mexhlise Ramazani, kjo Natë mbeti dëshmi Nate Kadri…
Bashkë me imamin e xhamisë; hoxhën, mjekun, infermierin, vëllanë e madh, kujdestarin e të kudogjendurin në gëzimet dhe hidhërimet e fahatit, me Senadin, shoqëruesin besnik, me Hakimin, që më ndjek në heshtje dhe është i vëmendshëm për çdo detaj, me Jasinin, që e ka një hise loje edhe në pushimin ndërmjet teravisë dhe namazit të tesbihëve, si dhe të rinjtë e djemtë e xhamisë, dalim të mbushur, pas ca orësh të kaluara në kijamin e Natës së Kadrit, me besim e shpresë!
Është Natë, dëshmi Nate Kadri..!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 18 prill 2023