Islami nuk mund të jetë alibi në gojët e të paudhëve!

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, i Cili urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe sikur ta shpenzoje gjithë atë që është në tokë, nuk do të mund t'i bashkoje zemrat e tyre, por All-llahu bëri bashkimin e tyre, sepse Ai është i gjithëfuqishëm, i urtë.” - (El-Enfal: 63.)

Nëpërmjet këtij ajeti, vërtetoi se, vëllazëria e shenjtë islame, mbetet sir, prej sirreve të dashnisë së Tij (xh.sh) për besimtarët e Tij, për racën njerëzore!

Salavatet dhe selamet më të përzemërta, ia dërgojmë sot, në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës sonë, Ma të Dashtunit e ma të Mirit, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili urdhëronte: “I sheh besimtarët në dashamirësinë e tyre për njëri-tjetrin dhe në mëshirimin ndaj njëri-tjetrit, si një trup i vetëm; që, kur një prej gjymtyrëve lëngon, i gjithë trupi alarmohet dhe pezmatohet” - (Bukhariu dhe Muslimi.)

Të dashur e të shtrenjtë, motra dhe vëllezër besimtarë,

“Ka një sulm të madh që i drejtohet fesë, pas shpine! … Rruga që kanë vizatuar për muslimanët, është largimi dhe distancimi nga feja e tyre dhe rregullat e saj, eliminimi i simboleve dhe emblemave! Kërkohet që të angazhuarit në shoqërinë islame, të jenë një model, pa ngjyrë, pa shije dhe pa erë. Një lloj, që nuk njihet nga identiteti dhe ngjyresa fetare dhe ajo e moralit…!” - (El-Gazali, “El-gazvuth-thekafi jemteddu fi feragina”, botimi i parë, Kajro, 1998, f. 126)

Kështu shprehet Shejkh Muhammed El-Gazali, në librin e tij me titull: “Sulmi kulturor përhapet në boshllekun tonë”.

Me fjalë të tjera, po të marrim në shqyrtim vetëm titullin e këtij libri, në kontekstet e hytbes së kësaj xhumaje dhe realiteteve të hidhura me të cilat përballemi sot, ne si muslimanë, kudo në botë, i bie, që gjithësecili prej nesh është të jetë i ftuar për të menduar e medituar thellë rreth këtyre ngjarjeve, me të cilat është rrethuar jeta e jonë dhe, të cilat po na befasojnë ditë pas dite për fytyrën e vërtetë të armiqësive të vjetra ndaj Islamit dhe muslimanëve, sidomos në vendin tone dhe perëndim!

Fatkeqësisht sot, edhe tek ne, ka një keqpërdorim të përhapur në masë të termit “Islami” dhe “musliman”. E thashë edhe mbrëmë në një bashkëbisedim televiziv, se: “Islami nuk mund të jetë alibi në gojët e të paudhëve!” Nuk mund të fshihet njeri pas emrit të fesë më të madhe në botë, për të përligjur ligësinë, injorancën, vasalitetin ndaj të keqes dhe ushqimin e propagandave çnjerëzore kundër Islamit dhe muslimanëve!

Islami dhe muslimanët, historikisht njihen për të kundërtën e asaj që, qarqe të caktuara antiislame në botë, mundohen t’i prezantojnë, duke mbjellur frikë dhe mungesë sigurie kudo në botë, në kurriz të muslimanëve, të Islamit, të diversitetit fetar që jeton në harmoni, por jo vetëm.

Islami dhe muslimanët nuk kanë prodhur ndonjëherë terrorizëm, që ta prodhojnë sot! Shkodra muslimane, nuk ka prodhuar ndonjëherë terrorizëm me veshje fetare islame, që ta prodhojë sot! Muslimanët e Shkodrës, nuk janë dëshmuar ndonjëherë si vrastarë e shkatërrimtarë, që të dëshmohen sot!

Prandaj, krejt këto propaganda të ulëta dhe përpjekje boshe, për ta lëkundur besimin tonë në fenë tonë të shtrenjtë islame, për ta frikësuar shoqërinë tonë ndaj Islamit, për ta larguar rininë e rrezikuar me dekadencë afetare, morale e shpirtërore; janë përpjekje të dështuara dhe njëkohësisht, vetëm se na zgjojnë nga gjumi i neglizhencës dhe indiferentizmit ndaj hakut të fesë në jetën tonë!

Të dashur të pranishëm,

Ndërkohë që të tjerët merren me etiketimin tonë të padrejtë, në një luftë të hapur e të pabarabartë, më lejoni t’ju kujtoj, se në raste lufte, të gjithë ne duhet të kthehemi tek ajeti kur’anor, nëpërmjet të cilit, All-llahu i Madhëruar urdhëron: “O Pejgamber! All-llahu të mjafton ty dhe besimtarëve që janë me ty!” - (El-Enfal: 64.)

Ky ajet ka zbritur në prag të një beteje. Mendoni: mbështetje totale për të Dërguarin dhe besimtarët në prag të një përballjeje me armikun! Edhe ne sot, si ymet islam, përballemi gjithandej me armiqësi të shumta shekullore, në forma e përmbajtje nga më të ndryshmet. Janë plagë të shumta të hapura në trupin e ymetit tonë, padrejtësisht! Por, All-llahu është me ne, sado që ne si besimtarë, do të dijmë të ruajmë madhështinë e harmonisë dhe vëllazërisë islame në mesin tonë! Pa këtë vëllazëri, pa sinqeritetin për ta ndërtuar atë, për ta ruajtur atë, për ta përhapur në rrethet familjare, tek fëmijët tanë, tek brezi i ri, nuk ka prespektivë!

Sot, më tepër se kurrë, ne kemi nevojë të gjallërojmë vlerat e harmonisë islame në mes nesh. Me fjalë të tjera, kemi nevojë të ndjejmë madhështinë, ngrohtësinë dhe cilësitë e mrekullueshme të vëllazërisë së shenjtë islame në mesin tonë!

Resulull-llahu (a.s) urdhëron e thotë: “Nuk ka besuar asnjëri prej jush, derisa të dojë për vëllanë e tij, atë që do për veten e tij” - (Bukhariu dhe Muslimi.)

Ky është sekreti! Nuk ka rrugë tjetër! Mos fol pas shpine për vëllanë tënd musliman! Mos e prej në besë muslimanin! Mos e shit muslimanin! Mos i bëj padrejtësi muslimanit! Mos të të duket vetja mbi të tjerët, sado gjynahqarë të jenë në sytë e tu se, sytë e tu nuk janë Sytë e Zotit! Ndihmoje dhe përkrahe muslimanin, e ke vëlla!

Imam Neveviu, teksa e shpjegon këtë hadith, thotë: [Ka thënë Imam Ebu Muhammed Ibn Ebi Zejd, imami i malikive të Magribit, në kohën e tij: Përmbledhja e krejt moraleve të së mirës janë katër hadithe: “Ai që beson në All-llahun dhe në jetën e përtejme, të flasë mirë, ose të heshtë!”, “Prej përsosmërisë së Islamit të njeriut, është edhe largimi i tij nga ajo që nuk i përket!”, porosia profetike: “Mos u zemëro!” dhe hadithi: “Nuk ka besuar asnjëri prej jush, derisa të dojë për vëllanë e tij, atë që do për veten e tij”] - (Dr. Mustafa El-Buga dhe Muhjiddin Misto, “El-Vafi fi sherh El-Erbainen-Nevevijje”, Damask, pa vit botimi, f. 93.)

Prandaj, le të kthehemi nga thelbi i fesë sonë, ta praktikojmë Fenë e All-llahut, ta dëshmojmë veten si muslimanë krenarë, ta refuzojmë propagandën islamofobe dhe ta kthejmë mbrapsht urrejtjen shekullore ndaj Islamit dhe muslimanëve, kujtdo që ka lidhur besën e tij me shejtanin e mallkuar dhe rrugëton drejt shkatërrimit dhe prishjes në tokë!

Rrugët tona me ato të së keqes, janë ndarë, që kur All-llahu i Madhëruar ka urdhëruar: “Merre të lehtën, urdhëro për mirë dhe hiqu prej të padijshmëve.” - (El-A’rafë: 199.)

All-llahu ju ruajtë e ju dashtë, ju dhuroftë shijen e besimit dhe ju bëftë pishtarë ndriçues në realitetet e hirta të jetës shqiptare!

Imam Muhamed B. Sytari Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbeja e mbajtur në xhaminë e Parrucës, më 11 nëntor 2016)