Më shumë se një mbresë…

Jemi në muajin dhjetor, 2016. Edhe pak ditë na ndajnë nga fundi i këtij viti. Me të drejtë, të vegjël, mosha më e re, e dytë, e tretë, pyesin e presin, presin dhe pyesin: “Si do të jetë viti i ri 2017? A do të ketë më shumë shpresë, a do të ketë më shumë diell, rreze drite, apo do të jetë i vakët, gri, dramatik? A do të ketë buzëqeshje?” Këto e shumë pyetje të tjera njerëzit me padurim, pyesin e presin… Presin…

Nuk e di pse i mendova këto rreshta si hyrje të shkrimit (më shumë se një mbresë) tim, teksa shihja veprimtarinë e organizuar nga Myftinia-Shkodër me nxënësit e Medresesë "Haxhi Sheh Shamia". Isha i lumturuar dhe i ngazëllyer. Arsyeja shumë e thjeshtë: një pjesëmarrje e begatë me një dëgjim të begatë. Zemrat u mbushën me dritë. Zemrat u kthyen me “fytyra” nga drita. Ky aktivitet i bukur e mbresëlënës ishte pjesë e gjerdanit të aktiviteteve që po organizon Myftinia, në përkujtim të figurës së ndritur të Profetit Muhammed (a.s.).

Sot, më shumë dritë kishte ajo sallë! Ai ishte “I PRANISHËM” me ne, në sytë, në zemra dhe në shpirt. Ndaj, sot çdo gjë ishte prej drite, prej nuri, prej të vërtete, prej besnikërie e adhurimi.

Këtë e theksuan në fjalën e tyre plot dritë teologu Arben Halluni, drejtori i Shkollës Kujtim Dervishi, koordinatori i Shoqatës “Instambul” Ridvan Seferaj.

Dritë, doemos, solli dhe fjala përshëndetëse e Myftiut të Qarkut Shkodër, Imam Muhamed Sytari. Përmes një elokuence të njohur, përmes dijes që e karakterizon, u fali plot mirësi të pranishmëve, u solli një faqe të ndritur nga Dritësia e çmueshme e mësimeve të Profetit. Fjalëkyçet e bisedës së tij të urtë dhe plot vlerë, ishin: “e begatë, begati, dritë, e sotme dhe e nesërme, udhëzime, besim, mos-harrim,, vlerë, virtyt”, etj.

Mendoj, që një hapësirë këtij aktiviteti i dha dhe ligjerata e teologut Ervil Kuçi. Ashtu, modest dhe energjik rrezatonte energji dhe dritë, teksa fliste për Profetin. Shembujt, analiza, përqasja me të sotmen, shikimi drejt së ardhmes; i të jetuarit në çdo sekondë e në çdo moment me Kur'anin, me mësimet dhe dritën e Profetit, brezat (pra, gjeneratat e nxënësve) jo vetëm që do të dalin kurdoherë faqebardhë, por në sytë e zemrat e tyre “do të çelin” përherë virtytet; por ajo çka është më e rëndësishme, vetë, Shqipëria do të ketë më shumë buzëqeshje, më shumë dritë! Le ta përqafojmë DRITËN dhe të dhurojmë buzëqeshje nga Urtësia e Profetit shumë të dashtun, Muhammedit (a.s.).

Xhahid H. Bushati

Medreseja “Haxhi Sheh Shamia”, Shkodër, 13.12.2016