Në vazhdën e serisë së aktivitetve 14 ditore, në përkujtim të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), dërgesës së tij, mesazhit hyjnor dhe mësimeve universale, me të cilat u dërgua si Vula e të dërguarve të All-llahut, paraditën e së martës, më 13 dhjetor 2016, Mfyinia Shkodër organizoi një tribunë fetare me nxënësit e Medrsesë “Haxhi Sheh Shamia”, dega djem.
Boshti kryesor i këtyre tubimeve të larmishme titullohet: “Në hapat e Resulull-llahut (a.s)…”, ku sot, ligjërata e radhës u mbajt nga teologu Ervil Kuçi, njëherazi përgjegjës i sektorit të rinisë në Myftininë e Shkodrës.
Gjatë ligjëratës së tij, imami i nderuar hodhi dritë mbi rëndësinë e leximit me urtësi e thellësi të jetës së Hz. Muhammedit (a.s) dhe përftimit të mesazheve të urta që burojnë nga shembulli i tij i përkryer në çdo drejtim.
Ai tha se, Hz. Muhammedi (a.s) na mësoi me sjelljen dhe praktikën e tij, sesi të sillemi edhe armiqtë tanë në jetë, përpara vëllezërve e besimtarëve, duke luftuar veset dhe ligësitë, por assesi njeriun, si krijesa më e përkryer e All-llahut.
Më parë, aktiviteti u përshëndet edhe nga z. Kujtim Dervishi, Drejtor i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, z. Ridvan Seferaj, Kryetar i Shoqatës “Istanbul”, teologu Arben Halluni, në mesazhet e të cilëve u përcollën këshilla, urtësi, njohuri dhe thirrje drejtuar të pranishëmve për ta jetuar shembullin e mrekullueshëm të Hz. Muhammedit (a.s) në shoqërinë shqiptare dhe kudo në jetë.
Aktiviteti u zbukurua edhe me këndimin melodioz të një pjese kur’anore, nga medresisti Omer Ajruli.
Seria e aktiviteteve në fjalë, vijon ditën e nesërme, më 14 dhjetor 2016, ora: 17.00, në bibliotekën e qytetit, ku do të zhvillohet një sesion shkencor kushtuar jetës dhe veprës së Hafiz Ali Ulqinakut.