Ceremonia e Mevludit Tradicional në Xhaminë e Plumbit

Ditën e dielë, më 25 dhjetor 2016, në kuadër të përfundimit të programit 14 ditor, që Myftinia Shkodër organizoi sivjet, me rastin e përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), në Xhaminë e Plumbit, pas namazit të drekës, u zhvillua ceremonia e Mevludit Tradicional.

Aktiviteti u përshëndet nga Myftiu, Imam Muhamed B. Sytari, i cili falënderoi besimtarët muslimanë të Shkodrës, imamët, teologët dhe thirrësit islamë, për angazhimin e tyre 14 ditor në këtë maratonë aktivitetesh të larmishme, në përtëritje të përkujtimit të Lindjes së Vulës së të dërguarve të All-llahut.

Myftiu theksoi se këto tubime janë tradita shekullore, që nga koha e Resulull-llahut (a.s), sahabët dhe deri në ditët e sotme, kur tubimet e dhikrit, këndimit të dashnisë për të Dërguarin (a.s) dhe shprehjen e falënderimeve All-llahut për këtë dhuratë të madhe që i bëri besimtarëve.

Më pas, u kënduan ilahi të bukura, salavate me xhematë dhe pjesë të përzgjedhura nga "Mevludi" i Hafiz Ali Ulqinakut, nga të nderuarit, H. Sami Muçej, H. Shukri Kaplan dhe z. Ismet Unaza.

Për të pranishmit u ekspozua edhe "Lihjei Seadeti", pronë shekullore e familjes së Jusuf ef. Tabakut në Shkodër.

Me përfundimin e aktivitetit të sotëm, Myftinia Shkodër përgatitet për zhvillimin e një faze të re aktivitetesh të përhapura kryesisht në xhamitë e fshatrave, kushtuar rëndësisë së forcimit në besim, pasimit të traditave të Hz. Muhammedit (a.s) dhe leximit të jetës së tij.