Myftiu priti thirrësin islam shqiptar në SHBA, z. Burhan Fili

Ditën e hënë, më 17 prill 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të përzemërt thirrësin islam shqiptar me banim në ShBA, z. Burhan Fili.

Gjatë këtij takimi të ngrohtë, dy bashkëbiseduesit këmbyen mendime rreth aktualitetit të Thirrjes Islame në Shkodër dhe Shqipëri, si dhe rreth zhvillimeve të reja të botës islame.

Z. Burhan Fili, dha disa këshilla të urta prindërore, nëpërmjet të cilave kërkoi që brezi i ri i hoxhallarëve të vendit tonë duhet ta shtojnë aktivitetin dhe të kërkojnë më të mirën në shërbim të interesit fetar dhe atij kombëtar.

Ai u lut që Myftinia Shkodër të ketë përherë mbarësi dhe aktivitet të dobishëm, sikurse vuri theksin te domosdoshmëria e bashkëpunimit në mesin e imamëve dhe teologëve të rinj në dobi të Islamit dhe masës së gjerë.

Ai e lajmëroi Myftiun për botimin e një novele të re në gjuhën angleze, si dhe botimin e saj edhe në shqip. Me këtë rast, Myftiu e ftoi të nderuarin, z. Burhan Fili, që ky botim i ri të prezantohet edhe në Shkodër, si dhe të promovohet në një tubim të veçantë në mesin e intelektualëve dhe besimtarëve të Shkodrës.